Kosova feston në pandemi: Këngëtarët nisin mbrëmjet muzikore

Kosova feston në pandemi: Këngëtarët nisin mbrëmjet muzikore

Nga muaji gusht i vitit të kaluar e deri në janar të këtij viti, Policia e Kosovës tha se ka shqiptuar 113,137 dënime për shkelje të Ligjit për parandalimin e pandemisë COVID-19. Ky ligj parasheh dënime nga 35 deri në 2,000 mijë euro për të gjithë ata që shkelin masat e vendosura nga institucionet, njofton Insajderi.

Dje, Policia e Kosovës bën të ditur se në 24 orët e fundit ka shqiptuar 375 gjoba ndaj atyre të cilët nuk i kanë respektuar masat kundër përhapjes së COVID-19.

Fushatat e partive për zgjedhjen e 14 shkurtit, ngjallën shumë polemika dhe debate të ashpra sepse shumë publikisht rregullat e pandemisë nuk po respektoheshin. Nga ata që kritikuan zëshëm lëvizjet e fushatës ishte komuniteti i artistëve dhe shoqata e gastronomëve, puna e të cilëve ka më se një vit që është pezulluar.

Kosova sot feston 13 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe shpërthimi i pandemisë do duhej të kufizonte lëvizjet dhe festimet në nder të ditës. Bazuar në postimet e shumë këngëtarëve në rrjete sociale që promovojnë mbrëmjet muzikore për 17 shkurtin, duket se festa këtë vit nuk do të dallojë nga festat para-pandemike.

Ligji për parandalimin e pandemisë COVID-19 parasheh që lokalet të shfrytëzojnë vetëm 30% të kapacitetit të hapësirës, duke u respektuar distanca sociale dhe mbajtja e maskave.

Asim Gashi, Besart Halimi, Armend Shababi, Buraki dhe Grupi Fama, Robert Berisha, Fifi, Alban Mehmeti, dhe Meda,  janë disa prej këngëtarëve që kanë paralajmëruar mbrëmje muzikore për sot.

Më 16 shkurt u njoftua se 6,946 raste aktive janë me COVID-19 në Kosovë. Numri i përgjithshëm ka arritur në 64.519, ndërsa i të shëruarve në 56,028. Deri më tani Kosova ka 1,545 raste të vdekjes nga virusi.  /Insajderi.com