fbpx

Kosova i diskriminon shqiptarët – Qindra të diplomuar në universitetet tona i gjejnë mbyllë dyert e profesionit

Shkruan: Getoar Mjeku

Kosova i diskriminon shqiptarët – Qindra të diplomuar në universitetet tona i gjejnë mbyllë dyert e profesionit

Me ligj, shtetasit e huaj — që rëndom i bie shqiptarët e Maqedonisë, Shqipërisë Londinare, Malit të Zi, ja Luginës së Preshevës — nuk mund të hyjnë në provimin e jurisprudencës në Kosovë. Këtë provim duhet me dhënë për t’u bë avokat te ne.

Juristët kosovarë kanë përmendë disa herë mundësinë me ndryshu ligjin për provimin për arsye të ndryshme. Por ndryshimi do duhej me heqë kushtin e shtetësisë. Ky kusht i diskriminon pa të drejtë dhe ua mohon kafshatën e gojës juristave të aftë që jetojnë prej vitesh në Kosovë, janë njerëz të ndershëm e punëtorë, dhe i përmbushin kushtet e tjera me hy në provim, por nuk kanë pasaportë me gjashtë yje.

Vetëm në Universitetin e Prishtinës, 76 jokosovarë kanë studiu drejtësinë gjatë vitit akademik 2017–2018: 55 kanë qenë nga Lugina e Preshevës, 12 nga Mali i Zi, e të tjerët nga Shqipëria e Maqedonia. Me fitu shtetësinë e Kosovës nuk është lehtë. Parimisht duhet me pritë nja 5 vjet, por ka shumë shqiptarë që kanë kalu dekada pa i ndreqë letrat në tokën e tyre.

Kushtetuta jonë e garanton të drejtën e barazisë dhe të mbrojtjes nga diskriminimi. Këtë të drejtë themelore e njohin dhe instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, që në Kosovë vlejnë ma shumë se ligjet e Kuvendit.

Ligji mundet me i kufizu të drejtat themelore, por vetëm për qaq sa është e domosdoshme me mbërri një qëllim që e lejon Kushtetuta. Kushti i shtetësisë për provimin e jurisprudencës nuk i shërben kurrfarë qëllimi pos me pengu konkurrencën e lirë.

Avokatët vërtet kryjnë detyra të rëndësishme publike, por këto mund t’i kryjë denjësisht edhe një joqytetar. Gjykata ma e lartë në Amerikë, bie fjala, e dallon punën e avokatit prej përgjegjësive të një nëpunësi që vendos për politika qeveritare ose i besohen fshehtësi shtetërore. Andaj s’ka arsye me kufizu profesionin e avokatit vetëm për shtetasit.

Disa vende të kontinentit tonë njëmend kërkojnë shtetësinë, por detyrohen të pranojnë edhe shtetasit nga Bashkimi Evropian ose Zona Ekonomike Evropiane. Ne nuk përfitojmë nga masat e tilla.

Kosova duhet t’ia bëjë si ShBA-ja, që nuk e ka shtetësinë si kusht për provim. Qebesa, Dardania jonë tashma i lejon shumë të huaj me punu si avokatë, prokurorë, e gjyqtarë (kujtoje Eulexin, për shembull, ose avokatët evropianë e amerikanë në do raste të profilit të lartë). Veç nuk i len joshtetasit me hy në provim të jurisprudencës.

Me këtë kufizim, shteti ynë po i dëmton jo vetëm individët që s’mund t’i nënshtrohen provimit, por edhe të ardhmen tonë në përgjithësi. Po e len pa njerëz një fushë të sfiduar si drejtësia, kurse njerëzit që banojnë këtu po rrezikon me i përzënë krejt duke ua vështirësu jetën e tue ua mohu profesionin.

Ne nuk kemi leverdi me i mbyllë sytë para diskriminimit!