Kosova mungesë të profesionistëve në sektorë të ndryshëm, shkak tregu evropian

Kosova mungesë të profesionistëve në sektorë të ndryshëm, shkak tregu evropian

Një ndër barrierat kryesore të sektorit privat në Kosovë është mungesa e aftësimit profesional, pasi tregu evropian ka kërkesa të fuqisë punëtore në  profesionet ku kosovarët kanë shfaqur interesim.

Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, ka thënë se profesionet më të kërkuara janë ato në ndërtimtari, bujqësi, e profesione të tjera, ndërkohë që të rinjtë e kualifikuar synim kanë tregun evropian dhe po ikin nga vendi.

“ Vendet e perëndimit janë duke kërkuar fuqi punëtore nga Kosova,  vetëm punëtorë me aftësi dhe shkathtësi të larta, dhe kjo do ta varfërojë edhe më shumë tregun e punës. Dhe Kosova dalëngadalë  do të mbetet edhe pa punëtorë profesionalë por edhe pa konsumatorë dhe pa qytetarë të saj”, tha Shahini.

Punëdhënësi Bedri Kosumi, viteve të fundit ka investuar shumë në mekanizma teknologjikë, për arsye, siç thotë ai, ka vite që përballet me mungesë të punëtorëve bujqësorë.

“Për punëtorë sezonalë është jashtëzakonisht shumë problem. Kjo na mundëson që të jemi më të pavarur nga dora e njeriut, sepse ka diku 5 vite  kur vije koha për nxjerrjen e patates dhe ujitjes, ne ballafaqohemi me mungesë të punëtorëve”, tha Kosumi për Radio Kosovën.

Ndërkohë, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Punëtorëve, Avni Ajdini thotë se Kosova ka mjaft ekspertë të fushave të ndryshme, por është evidente se ata po largohen nga vendi.

“Ne kemi mjaft ekspertë, por eksperti nuk vlerësohet dhe nuk paguhet. Për këtë arsye ai nuk shkon për të punuar, dhe ngel një vakum, dhe aty merret një punëtor i ri dhe nuk e njeh mirë atë zanat, pastaj ndodhin tani edhe probleme”, tha Ajdini.

Ajdini tutje thotë se në Kosovë duhet të punohet që fuqinë punëtore ta ofrojnë me kërkesat në tregun e punës.