Kosova nënshkruan marrëveshje me SHBA-të për nxitje të investimeve

Kosova nënshkruan marrëveshje me SHBA-të për nxitje të investimeve

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka nënshkruar një marrëveshje për nxitje të investimeve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njofton Insajderi.

Këtë marrëveshje Haradinaj-Stublla e ka cilësuar si thellim të marrëdhënieve strategjike me SHBA-në.

“Marrëdhënia kryesore strategjike e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës thellohet edhe më tej sot me nënshkrimin e Marrëveshjes për Nxitje të Investimeve, të cilën si Ministri e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e kemi propozuar dhe miratuar në mbledhjen e Qeverisë më 7 tetor 2020”, ka shkruar ajo në rrjetet sociale.

“Kjo marrëveshje që u nënshkrua sot nga Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e SHBA-ve, afirmon dëshirën e përbashkët për nxitjen e aktiviteteve shumë të nevojshme ekonomike amerikane në Republikën e Kosovës që promovojnë zhvillimin e burimeve dhe kapaciteteve ekonomike të Republikës së Kosovës, rrisin punësimin, prosperitin e mirëqenien për qytetarët e Kosovës”.

Kryediplomatja kosovare gjithashtu thotë se marrëveshja mundëson konkretizimin e zotimeve për projekte ekonomike të Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të ndërmarra në Marrëveshjen e datës 4 Shtator 2020 në Washington D.C.

“Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës si djep i lirisë dhe prosperitetit, që Kosovës i qëndruan pranë gjithmonë. Zoti e bekoftë Kosovën dhe miqtë e saj të vërtetë”. /Insajderi.com