“Kosova, një krishterim në rrezik” – dokumentari tendencioz i televizionit francez

“Kosova, një krishterim në rrezik” – dokumentari tendencioz i televizionit francez

Një dokumentar i titulluar “Kosova, një krishterim në rrezik” do të shfaqet të hënën më 10 prill në televizionin e Francës KTO.

Ky dokumentar tendencioz shkruan për ortodoksizmin, që si degë e krishterimit është në rrezik në Kosovë. Dokumentari e paraqet Kosovën si pjesë të ndarë të Serbisë dhe sovrane, pavarësisht tentimeve të Serbisë që ta rikthejë.

Në realizimin e këtij dokumentari ka ndihmuar shoqata serbe “Solidarity Kosovo” e cila vepron që prej vitit 2004 në Kosovë në ndihmë të serbëve, shkruan Insajderi.

“Dokumentari tregon për jetën në frikë dhe izolim të serbëve të Kosovës nga plaçkitja dhe vjedhjet, por se ata nuk duan të largohen nga vendi i tyre pavarësisht trysnisë”, shkruan mediumi francez Berzh-info.

Në këtë dokumentar flasin edhe krerët e kishës katolike ortodokse në Kosovë, Sava Janjiç nga manastiri i Deçanit dhe peshkopi Teodosje.

“Serbët kanë kaluar nëpër momente të vështira nëpër shekuj ku ka pasur momente pa shpresë, por besimi i fortë në Krishtin dhe lidhja e fortë me Kosovën dhe traditën e paraardhësve të tyre ka bërë që njerëzit të qëndrojnë këtu”, thotë Sava Janjiç në dokumentar.

KTO është një televizion katolik i Francës, i cili shfaqet në rrjetin kabllor të Francës, Belgjikës, Zvicrës dhe vendeve frankofone të Afrikës. /Insajderi.com