Kosova përkrah SHBA-së për shqetësimin për të drejtat e njeriut në Bjellorusi

Kosova përkrah SHBA-së për shqetësimin për të drejtat e njeriut në Bjellorusi

Republika e Kosovës i është bashkuar thirrjes së bashkësisë ndërkombëtare, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe Këshillit të të Drejtave të Njeriut, drejtuar autoriteteve bjelloruse që t’i jepet fund dhunës dhe shtypjes, për t’i liruar të gjithë të arrestuarit dhe të burgosurit politikë, për ta respektuar lirinë e medias dhe shoqërinë civile dhe për të filluar një dialog gjithëpërfshirës që çon në zgjedhje të lira dhe të ndershme, transmeton Insajderi.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, tha se Kosova qëndron përkrah SHBA-së dhe bashkësisë ndërkombëtare në mbështetjen e qëllimeve paqësore dhe demokratike të popullit bjellorus.

“Ne kërkojmë nga Qeveria e Lukashenkos që t’i lirojë të gjithë personat e ndaluar padrejtësisht, t’i japë fund bllokadës në internet në të gjithë vendin, të zhvillojë bisedime me anëtarët e opozitës politike dhe të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme që duhet të monitorohen nga vëzhguesit ndërkombëtarë”, është shprehur kryediplomatja kosovare.

Bjellorusia është goditur nga një krizë politike që nga zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit, kur filluan protestat masive antiqeveritare në të gjithë vendin, iniciuar nga rezultatet zyrtare të një votimi që Lukashenko fitoi më shumë se 80 për qind të votave. Kundërshtarët e Lukashenkos pretendojnë se zgjedhjet u vodhën.

Me gjithë përpjekjet e autoriteteve për të shuar demonstratat duke arrestuar dhe shtypur demonstruesit dhe aktivistët, protestat masive nuk u shuan as pas dy muaj e gjysmë. /Insajderi.com