Kosova pëson humbje nga Sllovakia

Kosova pëson humbje nga Sllovakia

Kosova ka pësuar humbje nga Sllovakia 73:77 (23:15, 14:20, 17:20, 19:22), në kuadër të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2023, njofton Insajderi.

Kosova e motivuar e nisi ndeshjen më mirë, duke e fituar çerekun e parë 23:15. Për dallim nga ndeshja me Luksemburgu, ‘Dardanët’ ishin shumë më të mirë në mbrojtje dhe me një lojë ekipore, e mbyllën çerkeun e parë me tetë pikë epërsi, derisa me lojë të mirë vazhduan edhe në periudhën e dytë, ku kishin epërsi deri në 12 pikë, 32:20. Por, më pas sllovakët u treguan më të mirë, duke ngushtuar shirat në 37:35, rezultat me të cilin përfundoi pjesa e parë.

Perioda e tretë ishte shumë interesante dhe e luftuar nga dy skuadrat në parket. Epërsia më e lartë e vendasve ishte pesë pikë, kurse sllovakët arritën që të kalojnë në epërsi në një pikë dy herë, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 54:55. 10 minutat e fundit ishin mjaft të luftuar dhe përkundër përpjekjeve maksimale të ‘Dardanëve’, Sllovakia fitoi 73:77.

Kosova e përfundoi grupin me dy fitore dhe katër humbje, kurse sllovakët tri fitore dhe tri humbje, duke u kualifikuar tutje. /Insajderi.com