Kosova thellon bashkëpunimin me shtetet e Vishegradit

Kosova thellon bashkëpunimin me shtetet e Vishegradit

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, zhvilloi një video-takim të përbashkët me ambasadorët e Grupit të Vishegradit (Poloni, Çeki, Sllovaki, Hungari), me të cilët diskutoi për Fondin e Ballkanit Perëndimor, planet për të ardhmen e tij si dhe bashkëpunimin midis vendeve të Vishegrad-it dhe Ballkanit Perëndimor.

Ministrja Haradinaj-Stublla, tha se gjatë kryesimit të Republikës së Kosovës me Fondin e Ballkanit Perëndimor, në vitin 2019, është arritur që të mbahen të gjitha aktivitetet e planifikuara me pjesëmarrje të të gjitha shteteve të rajonit dhe që përmes shtimit të nivelit të transparencës është ndikuar drejtpërsëdrejti në ngritjen e imazhit dhe kredibiltetit të Fondit në raport me donatorët potencial.

“Gjatë kryesimit të Kosovës me Fondin e Ballkanit Perëndimor është bërë edhe një hap shumë i rëndësishëm sa i përket të ardhmes së Fondit të Ballkanit Perëndimor. Ky hap ai ka të bëj me miratimin e Deklaratës së përbashkët nga ana e të gjithë ministrave të punëve të jashtme të rajonit përmes së cilës është vazhduar trendi i rritjes së kontributit vjetor si konfirmim i punës së shkëlqyeshme të bërë deri më tash në përmbushjen e misionit të Fondit të Ballkanit Perëndimor”.

“Në anën tjetër, duke qenë se bashkëpunimi rajonal – i cili pa diskutim ka rezultate shumë të prekshme – shtysë kryesore e ka integrimin europian, është e domosdoshme që perspektiva e anëtarësimit të përkthehet në mesazhe e veprime konkrete edhe nga ana e BE-së”, u shpreh ministrja Haradinaj-Stublla.

Ajo tha se bashkëpunimi rajonal nuk mund të bëhet qëllim në vetvete dhe assesi nuk mund të jetë zëvendësim për procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE./Insajderi.com