
Trajneri i përfaqësueses kosovare, Albert Bunjaki ka thënë se skuadrës së tij do t’i bashkohen disa futbollistë që kanë luajtur në Kampionatin Evropian, duke lënë të kuptohet se disa prej tyre janë nga kombëtarja e Shqipërisë.
Trajneri i Shqipërisë Gianni De Biasi ka thënë dy ditë më parë se vetëm një kuqezi do t’i bashkohej Kosovës – por pa përmendur emra, ndërsa është sërish Bunjaki që insiston se nuk bëhet fjalë vetëm për një futbollist.
I pyetur nga “Panorama Sport” në lidhje me lojtarët që do t’i bashkohen Kosovës, Bunjaki insiston që bëhet fjalë për disa.
“Ka lojtarë që ishin në Europian dhe që kanë dëshirë të përfaqësojnë Kosovën. Emra nuk mund t’ju them, por nuk bëhet fjalë për një dhe këtë besoj që e kanë të gjithë të qartë”, është shprehur Bunjaki.
Kosova do t’i fillojë në muajin shtator kualifikueset e para në histori të saj, derisa ndeshjen e parë do ta zhvillojë ndaj Finlandës në udhëtim. /Insajderi.com