Kosovari dyshohet ta ketë vrarë ish-gruan dhe partnerin e saj në Gjermani

Kosovari dyshohet ta ketë vrarë ish-gruan dhe partnerin e saj në Gjermani

Pasditen e së shtunës në qytetin Iserlohn të Gjermanisë është raportuar se një burrë 43-vjeçar ka goditur me thikë një grua 32-vjeçare dhe një burrë 23-vjeçar. Mediat gjermane kanë shkruar se dorasi dyshohet të jetë kosovar, transmeton Express.

Në raportimin e mediave gjermane thuhet se 43-vjeçari e ka goditur me thikë kuzhine ish-bashkëshorten e tij dhe burrin i cili raportohet të ketë qenë partneri i viktimës.

Ndërkaq, raportohet se dorasi dhe gruaja 32 vjeçe janë nga Kosova, kurse 23-vjeçari nga Afganistani.

“Bild” shkruan se gruaja kishte me vete një vajzë dymuajshe ndërsa nuk raportohet që foshnja ka marrë lëndime.

Raportohet po ashtu se i dyshuari është dorëzuar tek forcat policore menjëherë pas aktit në vend të ngjarjes, pa rezistencë, raporton Koha.net.

Në bazë të autopsive që u janë bërë dy viktimave sot, del se ata kanë pësuar disa plagë të shkaktuara nga thika, e cila është konfiskuar në vend të ngjarjes.

Arsyeja e këtij sulmi nuk dihet, por çifti kishte kohë që jetonin të ndarë.