Kosovës i duhet të prodhojë më shumë energji elektrike për të mbuluar kërkesën në të ardhmën

Kosovës i duhet të prodhojë më shumë energji elektrike për të mbuluar kërkesën në të ardhmën

Kosovës i duhen kapacitete të reja energjetike për të mbuluar kërkesën për të njejtën. Me njësitë e stër-vjetërruara të Kosovës A dhe B, vendi rrezikon të mbetet pa energji të mjaftueshme elektrike edhe në të ardhmën.

Pas mbylljes së termocentralit Kosova A, sipas raporteve të punuara nga Banka Botërore kohë më parë, më 2025 vendi do të ketë mungesë prej 1500 megavatësh të energjisë elektrike. Raportet kanë marrë për bazë trendin në rritje të konsumit të energjisë elektrike në vend.

Çdo vit, me t’u afruar stinës së dimrit, qytetarët në Kosovë ballafaqohen me mungesë të jashtzakonshme të energjisë elektrike, përkundër se të njejtit konsumojnë shumë më pak energji krahasuar me vendet tjera.

Vetëm gjatë ditëve që po lëmë pas, prodhimi i energjisë elektrike në Kosovë kishte mbuluar vetëm 40% të konsumit të brendshëm.

Sipas raporteve, një Kosovar konsumon më shumë se 2,000 kWh energji elektrike deri sa mesatarja e konsumit për person sipas OECD duhet të jetë diku rreth 8,000 kWh.

Sipas Bloomberg, edhe në botë kërkesa për energji elektrike pritet të shënojë rritje prej 57% deri në vitin 2050 dhe kjo edhe ka shtyrë investime të shumta në kapacitete të reja të prodhimit të energjisë elektrike.

Pothuajse të gjitha vendet në rajon kanë paralajmëruar termocentrale të reja për t’u ballafaquar me kërkesën në rritje për energji elektrike. Kosova i është bashkuar vendeve të rajonit duke paralajmëruar ndërtimin e termocentralit të ri me kapacitet prej 500 megavatësh.

Sipas strategjisë në vend, termocentrali i ri, që pritet të fillojë prodhimin nga fundi i vitit 2022, bashkë me projekte tjera të prodhimit të energjisë nga burime të ripërtrishme, do të përfundojë problemet e vendit me mungesë të energjisë, duke siguruar kapacitete të mjaftueshme bazë të energjisë për të mbuluar kërkesën në rritje.

Në vit, sipas hulumtimeve të bëra nga USAID, humbjet ekonomike për shkak të furnizimit të pasigurt me energji elektrike thuhet tejkalojnë 300 milionë euro në vit.