“Kosovo Family IU” – arsyetimi i kryeministrit pse gjashtë burra udhëtuan në Bruksel

“Kosovo Family IU” – arsyetimi i kryeministrit pse gjashtë burra udhëtuan në Bruksel

Të buzëqeshur dhe si asnjëherë më parë, ku  dukeshin edhe të bashkuar gjashtë përfaqësuesit e Kosovës u takuan dje me përfaqësuesen e lartë të BE-së Federica Mogherini. Madje Thaçi me zë të lartë para Mogherinit thoshte “Kosovo family IU”, teksa po dëshironte ta shprehte unitetin e liderëve kosovarë dhe orientimin evropian, raporton Insajderin.

Tre liderët e vendit dhe tre zv/kryeministra qëndruan të mërkurën në Bruksel, duke shkelur edhe ligjin kur dolën jashtë vendit në të njëjtën kohë.  Atje diskutuan për dialogun me Serbinë si dhe u dha lajmi pozitivë për rekomandimin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Por përveç tri liderëve; Thaçit, Veselit, Haradinajt, në Bruksel morën pjesë edhe tre zv/kryeministrat, Limaj, Pacolli dhe Dardan Gashi.

Delegacionin prej gjashtë burrave nga Kosova nga zyra e kryeministrit e arsyetojnë se një takim i ngjashëm ishte dakorduar më herët me përfaqësuesen e BE-së Mogherini. Sipas një përgjigje për Insadjerin nga Donjeta Gashi, zyrtare për informim në Qeverinë Haradinaj, kjo vizitë me një delegacion të tillë është bërë për shkak të konfirmohej uniteti i Kosovës në dialogun me Serbinë para Mogherinit.

“Pas një takimi të përbashkët me udhëheqësit e institucioneve të Republikës së Kosovës, Kryeministri Ramush Haradinaj, Presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli, zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj dhe Dardan Gashi, janë dakorduar që të mërkurën, më 18 korrik, ta takojnë Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Europian, Federica Mogherini në Bruksel”.

“Ky dakordim është bërë me qellim që t’i konfirmohet zonjës Mogherini dhe Bashkimit Evropian përkushtimi i Institucioneve të Republikës së Kosovës për dialog me Serbinë dhe, poashtu, angazhimin për përfshirjen e opozitës në dialog, respektivisht krijimin e një ekipi gjithëpërfshirës”, thuhet në përgjigjen nga Qeveria e Kosovës.

Sipas përgjigjes së Gashit, qëllimi i vizitës në Bruksel kishte qenë vetëm takimi me Mogherinin, por që më pas ka “rastisur” të jetë në të njëjtën kohë kur edhe është dhënë vendimi pozitiv për rekomandimin e vizave.

“Ky ka qene qëllimi i udhëtimit të këtij delegacioni me këtë përbërje në Bruksel. Fillimisht në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë, ka përkuar edhe ngjarja e publikimit të rekomandimit pozitiv të Komisionit Europian për lëvizje të lirë në vendet e BE-së dhe sigurisht që në keso ngjarje, duhet të jenë prezent bartësit e Institucioneve tona”, ka deklaruar Gashi.

Tre përfaqësuesit e shtetit e kanë të ndaluar të dalin jashtë vendit të gjithë në të njëjtën kohë, por që ky ligj është anashkaluar “sipas ftesës së Mogherinit”, kur të mërkurën të gjithë liderët shkuan në Bruksel. Për ironi gjashtë burrat nga Kosova u përballën me një delegacion të Mogherinit ku të gjitha ishin gra. /Insajderi.com