KPK: Partitë të jenë të përmbajtura, të mos ndërhyjnë në punët tona

KPK: Partitë të jenë të përmbajtura, të mos ndërhyjnë në punët tona

Këshilli Prokurorial i Kosovës u ka bërë thirrje subjketeve politike të cilët janë pjesë e fushatës zgjedhore, të jenë të përmbajtura dhe në respektim të plotë të ndarjes së pushteteve, njofton Insajderi.

Përmes një komunikate për medie, nga KPK-ja thonë se partitë nuk duhet të ndërhyjnë në punën e tyre.

Në reagim më tej thuhet se kryeprokurori i Shtetit zgjidhet dhe i përgjigjet vetëm Këshillit Prokurorial të Kosovës, prandaj detyrat, obligimet dhe mandati i tij janë të përcaktuara nga Kushtetuta dhe ligjet e vendit, e jo nga vullnetet politike.

“Më këtë rast, theksojmë se sistemi prokurorial me mbështetje të fuqishme edhe të partnerëve ndërkombëtarë është duke u angazhuar maksimalisht për avancimin e mekanizmave të brendshëm në fuqizim të llogaridhënies, transparencës dhe efikasitetit, si dhe forcimit të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Ky reagim i Këshillit Prokurorial vjen pasi që kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, kishte deklaruar se nëse vjen në pushtet do të bëjë reforma në sistemin e drejtësisë. Ai ishte shprehur do të shkojë kryeprokurori i shteti, duke aluduar në shkarkimin e tij nga organet kompetente. Megjithatë, Kurti tha se nuk do të shkojë veç Lumezi, por edhe shumë të tjerë./Insajderi.com