“KQZ është duke dështuar në procesin e votimit jashtë Kosovës”

“KQZ është duke dështuar në procesin e votimit jashtë Kosovës”

Drejtori i organizatës “Germin”, Lirim Krasniqi ka thënë se Komisioni Qendror Zgjedhor është duke dështuar në procesin e votimit jashtë Kosovës, njofton Insajderi.

Sipas tij, nga 22 janari (kur është hapur afati për aplikimin e votuesve jashtë vendit) e deri më sot, vetëm 35 përqind e aplikimeve janë vlerësuar, ndërsa thotë se vetëm 26 përqind e votuesve janë telefonuar.

Ndaj, Krasniqi thotë se gjasat që mijëra qytetarë të humbin të drejtën e votes janë të mëdha.

“Pra, janë mbi 100,000 aplikime (65%) për t’u vlerësuar dhe telefonuar kur kanë mbetur vetëm edhe 3 dite nga fillimi i votimit nga jashtë (2-12 shkurt), dhe vetëm 2 ditë nga koha kur KQZ duhet te publikoje listën finale të votuesve nga jashtë (edhe kjo pa lejuar afat për ankesa). Gjasat janë të mëdha që mijëra qytetarë të humbin të drejtën e votës, sepse më nuk ka kohë as për ankesa”, ka shkruar ai në Facebook.

E gjithë kjo situatë, sipas tij, dëshmon se vendimi për telefonimin e votuesve nga diaspora nuk ka qenë i menduar e as i planifikuar paraprakisht për t’u zbatuar.

“Çfarëdo lloj arsyetimi nga KQZ është vetëm tentim për t’i ikur përgjegjësisë”, tha tutje Krasniqi.

Gazeta Online Insajderi ka provuar të kontaktojë me zëdhënësin e KQZ-së, Valmir Elezi, për të marrë më tepër detaje lidhur me këtë çështje, por ai ishte i paqasshëm./Insajderi.com