KQZ-ja certifikon 2 subjektet e para për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale

KQZ-ja certifikon 2 subjektet e para për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për certifikimin e subjekteve të para politike që kanë aplikuar deri më tani për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, shkruan Insajderi.

Subjektet politike të certifikuara nga KQZ-ja janë: Iniciativa Qytetare “Bashkë për Istogun” certifikohet për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kryetar Komune dhe për Kuvend Komunal në Istog dhe Iniciativa Qytetare “Lista Guxo” certifikohet për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kuvend Komunal në Ferizaj.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar rreth 1,208 aplikacione të qytetarëve që jetojnë jashtë Kosovës për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës.

“Sipas të dhënave nga shërbimi votues, deri më 22 korrik, janë pranuar 1,295 aplikacione për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, prej të cilave janë aprovuar 1,208, ndërsa 87 të tjera jo pasi nuk kanë plotësuar kriteret juridike. Edhe për këto raste, shërbimi votues i ka njoftuar për dokumentet që duhet t’i dërgojnë në mënyrë që t’iu aprovohet kërkesa për regjistrim si votues jashtë Kosovës”, tha Elezi.

Sipas tij, numri më i madh i aplikuesve vjen nga Gjermania (502) e ndjekur nga Zvicra (472), ndërsa nga shtetet tjera numri i aplikimeve është dyshifror./Insajderi.com