KQZ-ja do të publikojë shpenzimet e partive politike për fushatën e zgjedhjeve të 14 shkurtit

KQZ-ja do të publikojë shpenzimet e partive politike për fushatën e zgjedhjeve të 14 shkurtit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka njoftuar së do t’i publikojë  së shpejti dosjen e paaudituar të informimit publik për zgjedhjet e 14 shkurtit, shkruan Insajderi.

Kjo u bë e ditur në mbledhjen e sotme të KQZ-së, ku u prezantua edhe një raport lidhur me ecurinë e përgatitjes së zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, përmes kësaj dosje do të mësohen donatorët e secilit subjekt politik, për shumat kumulative më shumë se 100 euro dhe raportet e publikimit financiar të fushatës së subjekteve politike të dorëzuara te KQZ-ja,

Po ashtu, KQZ-ja do të publikojë edhe raportet e publikimit financiar të kandidatëve që janë zgjedhur deputet të Kuvendit të Kosovës.

Ky publikim nga KQZ-ja do të shoqërohet me tekstin shpjegues raportet financiare të fushatës janë të paaudituara dhe mund të pësojnë ndryshime dhe saktësime gjatë procesit të auditimit.

Sipas KQZ-së, përgatitjet e zgjedhjeve janë duke u zhvilluar sipas planifikimeve me planin operacional të miratuar në fillim të këtij procesi./Insajderi.com