KQZ-ja kërkon pezullim të orës policore për fundjavë

KQZ-ja kërkon pezullim të orës policore për fundjavë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës pezullimin e kufizimit të lëvizjes për fundjavë.

Kjo pasi të dielën e 17 tetorit mbahen zgjedhjet lokale, dhe sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, kërkesa është bërë me qëllim që të arrihen të kryhen detyrat zyrtare për këtë proces.

Sipas tij, kërkesa për heqjen e orës policore për 48 orë, është kërkuar edhe në mbledhjen e fundit të KQZ-së.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në fazën përfundimtare të përgatitjes së procesit zgjedhor dhe me qëllim të kryerjes së detyrave gjatë procesit të votimit, do të jenë të angazhuar rreth 15 mijë anëtarë të këshillave të vendvotimit si dhe rreth 25 mijë vëzhgues do të jenë prezentë në vendvotime për të parë nga afër procesin e votimit”.

“Prandaj për të mundësuar kryerjen e detyrave zyrtare dhe duke qenë të vetëdijshëm për masat kufizuese, që përfshijnë kufizimin e lëvizjes nga ora 22:00 deri në ora 5 të mëngjesit, KQZ-ja ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të pezullojë kufizimin e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës më datë 16 dhe 17 tetor”.

“Gjatë mbledhjes së fundit që është mbajtur në KQZ, në mënyrë unanime anëtarët e KQZ-së kanë shprehur besimin se pezullimi i kufizimit të lëvizjes gjatë kësaj fundjave do t’i shërbente krijimit të një atmosfere pozitive për qytetarët e Kosovës”, tha Elezi për EO.

Më tej shtoi se, duke pasur parasysh që janë mijëra persona të angazhuar në këtë proces zgjedhor, largimi i orës policore do ta ndihmonte shumë këtë proces, pasi sipas tij, trupat zgjedhore mund të mbesin edhe pas orës 22:00 në vendvotime./Insajderi.com