Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nxjerrë një njoftim për votuesit e regjistruar jashtë vendit nga Komuna e Istogut të cilët mund të votojnë për raundin e dytë të zgjedhjeve në Istog për kryetar të komunës.
“Votuesit e regjistruar suksesshëm për votim përmes postës për komunën e Istogut, të cilët kanë aplikuar për regjistrim prej datës 16 korrik deri me datën 23 gusht 2017, duhet të dërgojnë dëshmi zyrtare shtesë për adresën e vendbanimit jashtë Kosovës dhe numrin e telefonit kontaktues. Pas kësaj, këta votues do të kontaktohen për verifikim, me qëllim që të vërtetohet se a janë votues që kanë aplikuar suksesshëm dhe personalisht nga jashtë Kosovës”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
“Votuesit jashtë Kosovës, që janë regjistruar suksesshëm për komunën e Istogut, të cilët nuk do të sjellin dëshmi zyrtare shtesë për adresën dhe numrin kontaktues të telefonit përgjatë datave 02.12.2017 deri më 06.12.2017, do të kthehen si votues në listën e votuesve brenda Kosovës, në qendrat e votimit sipas adresave të tyre në Regjistrin Qendror Civil”, vazhdon njoftimi.
“Periudha e verifikimi dhe konfirmimit të votuesve jashtë Kosovës ka filluar me datë 2 dhjetor dhe do të përfundojë me datën 6 dhjetor 2017. Vërtetimi apo dëshmi zyrtare mbi adresën tuaj, që vërteton se jetoni jashtë Kosovës, në shtetet përkatëse dhe numrin kontaktues të telefonit, ju mund ta dërgoni në adresat elektronike të skanuara, në email-at: [email protected], [email protected], dhe [email protected].”, njofton KQZ.
“Gjithashtu, dëshminë zyrtare të adresës ku jetoni jashtë Kosovës dhe numrin kontaktues mund të na dërgoni edhe përmes postës, në adresë të KQZ-së (Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Votimi Përmes Postës, K.P. 6 Kutia 351, 10 000 Prishtinë, Republika e Kosovës) dhe Përmes fax-it, në numrin: +381 (038) 213 200.”, përfundon njoftimi i KQZ-së./Insajderi.com