Krasniqi: E rrezikshme ideja e krijimit të imunitetit të tufës

Krasniqi: E rrezikshme ideja e krijimit të imunitetit të tufës

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka deklaruar se derisa ende nuk ka vaksinë kundër virusit Corona, mënyra më e mirë për tu mbrojtur janë masat e kërkuara që nga fillimi i kësaj pandemie: mbajtja e distancës, vendosja e maskës dhe higjiena personale, transmeton Insajderi.

Ai tutje është shprehur kundër idesë së imunitetit të tufës, duke thënë se një ide e tillë mund të paraqes rrezik të madh.

“Meqenëse kemi të bëjmë me një sëmundje që sulmon rrugët e frymmarrjes, atëherë këto janë masat parandaluese më efikase deri më tash”, ka thënë Krasniqi në RTK.

Lidhur me idenë e dhënë nga infektologu Ilir Tolaj, që pandemia apo Coronavirusi largohet vetëm me infektimin e tufës, pra lënia e lirë e qarkullimit të virusit për t’u krijuar imunitetit i masës, Krasniqi ka dalë kundër këtij propozimi.

“Kjo është një qasje që e kemi parë edhe në Suedi, pra qasja e mosmbylljes. Ne në Kosovë e kemi bërë hapjen graduale, duke e zhvilluar edhe jetën, mirëpo është vështirë të kontrollohet infeksioni”, ka thënë ai.

Sipas tij, tjetër gjë është ata që flasin dhe japin këso idesh, e tjetër gjë është për ata që kanë përgjegjësi.

“Është vështirë të kesh infeksion të kontrolluar. Duhet të kesh resurse të mjaftueshme humane, infrastrukturore, të kësh ilaçe të mjaftueshme që të ndodh ajo që ka bërë Suedia”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se nëse nuk i keni këto në dispozicion, atëherë një ndërmarrje e tillë do të ishte shumë e rrëzikshme. /Insajderi.com