Krasniqi: Kjo është mendësia totalitare e Albin Kurtit, do të përballemi me të përsëri

Krasniqi: Kjo është mendësia totalitare e Albin Kurtit, do të përballemi me të përsëri

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, para mediave ka folur rreth tentimit të Vetëvendosjes që nëpërmjet procedurave të përshpejtuara ta votojë ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje, njofton Insajderi.

Krasniqi është shprehur se sot ka ndodhur ajo që është paralajmëruar në fushatë, se Albin Kurti ka mendësi totalitare dhe dëshiron pushtet absolut.

“Është pikërisht ajo që e kemi paralajmëruar gjatë fushatës zgjedhore që Albin Kurti ka mendësi totalitare dhe dëshiron pushtet absolut. Ne sot e parandaluam ngufatjen e demokracisë të cilën nën petkun e procedurave tentuan ta kontrabandojnë. Ligji për zgjedhjet që është ligj sistemik dhe ndër më të rëndësishmit duhet të bëhet vetëm pas ndonjë procesi gjithëpërfshirës, ku marrin pjesë ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, shoqëria civile dhe institucione të tjera.”, tha Krasniqi.

Më tutje ai është shprehur se sot Kosova do të ballafaqohet edhe më tutje me nisma të tilla.

“Sot u tentua që krejt një proces i tillë të kontrabandohet brenda disa orëve duke ushtruar presion e shantazh duke përfshirë edhe Kuvendin e Kosovës. I falënderoj të gjithë që kanë reaguar gjatë ditës, që e parandaluan një gjë të tillë, por nëse sot u parandalua ngufatja e demokracisë nga Kurti kjo nuk do të thotë se do të ndalohet nesër. Ju siguroj se me të tilla gjëra do të ballafaqohemi vazhdimisht, por ne si PDK nuk do të nënshtrohemi ndaj asnjë shantazhi të kësaj partie politike. Për mendësinë e Kurtit nuk çuditem aspak, ajo që duhet ta bëjmë sot si pyetje secili prej nesh por edhe ata që e kanë votuar është se si është e mundur ajo që dëshiron të bëhet presidente e vendit, e presidenti i vendit udhet ta përfaqësojë unitetin të bëhet pjesë e një procesi të tillë shantazhues e partiak që jo veç i injoroi, tentoi t’i poshtërojë partitë opozitare. Nuk mund të kemi kryeministër që së paku nuk e ofron dorën e bashkëpunimit ndaj opozitës.”, tha Krasniqi.

Gjithashtu, Krasniqi është shprehur se Kurti po abstenon nga qeverisja dhe po shantazhon opozitën.

“Sot përsëri kam dronë që Albin Kurti po e shpërfaq atë që e ka bërë edhe mandatin e kaluar, abstenimin nga qeverisja, ai e ka marrë besimin dhe të qeverisë, e ti del ballë detyrës së kryeministrit, me ardhë e me shantazhu dhe me kriju proces të ri të rilegjitimimit në zgjedhje është frikë nga përgjegjësia. Ne do të luajmë rolin tonë si parti kryesore opozitare dhe do të ruajmë interesin qytetar pavarësisht këtyre veprimeve anti-demokratike.”, tha ai./Insajderi.com