Krasniqi: Kryeministrit i ka interesuar vetëm kolltuku

Krasniqi: Kryeministrit i ka interesuar vetëm kolltuku

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, njëherësh ministër në largim i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka thënë se kryeministrit Isa Mustafa i ka interesuar më shumë kolltuku i tij dhe qeverisja në mënyrë formale, sesa fakti që qytetarët kanë qenë të pakënaqur me mosrealizimin e premtimeve të dhëna nga ai.

Krasniqi ka theksuar se Mustafa vetëm kështu ka dashur të qeverisë edhe një vit deri në fund të mandatit.

Sa i përket prishjes së koalicionit, ku Isa Mustafa ka fajësuar PDK-në, Krasniqi ka thënë se Mustafa është dashur të reflektojë shumë më herët, pasi sipas tij, kohë më parë kjo parti është ballafaquar me shumë probleme me marrëveshjen e qeverisjes.

“Mendoj që nuk është mirë që t’iu iket përgjegjësive, duke pasur një qasje të hedhjes së fajit për dështime. Zotëri Mustafa është dashur që me kohë të reflektoj për problem të cilat jemi ballafaquar me muaj të tërë, ndoshta vite me radhë”, ka thënë Krasniqi për Ekonomia Online.

Krasniqi po ashtu ka theksuar se shumë pika të marrëveshjes nuk janë respektuar nga LDK-ja, e sidomos ajo për zhvillim ekonomik.

“Marrëveshja nuk funksionon vetëm në pika të ndara… Shumë pika nuk kanë arritur të respektohen nga LDK-ja, mbi të gjitha pjesa e programit të zhvillimit ekonomik. Për neve ka qenë qenësor pjesa programit të zhvillimit ekonomik të Qeverisë dhe absolutisht nuk kemi qenë të kënaqur”, ka thënë Krasniqi.

Sa i përket koalicioneve parazgjedhore, ai ka thënë se do të diskutojnë vetëm me ato parti të cilat kanë pozicion të afërt politik me PDK-në.

“PDK-ja nuk është parti e logjikës së vijave të kuqe, por së pari do të bëjnë koalicion me qytetarët, pastaj me atë subjekt politik i cili do të pranoj programin qeverisës me pikësynim zhvillimin ekonomik të vendit”, ka thënë Krasniqi./Insajderi.com