Krasniqi për Thaçin e Veselin: Ata e mposhtën Serbinë

Krasniqi për Thaçin e Veselin: Ata e mposhtën Serbinë

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka komentuar paraqitjet e Hashim Thaçit e Kadri Veselit para gjyqit të Gjykatës Speciale.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës tha se dyshesThaçi-Veseli “Jeta ua kishte rezervuar fatin për ta shkruar historinë më të lavdishme të Kosovës. Megjithëse pakkush besonte, ata s’e refuzuan këtë fat, por i buzëqeshën atij – për t’i dhënë fund vuajtjes së popullit shqiptar dhe fillim ëndrrës së tij për liri. Ishte ky fati më i mirë i mundshëm, ndërsa hisja në histori u takon të rrallëve”.

Më tutje Krasniqi theksoi mbështetjen që dy ndër themeluesit e UÇK-së e morën nga bashkësia ndërkombëtare.

“Shumë të rinj në moshë, ata e mundën frikën, nuk u dorëzuan, e mposhtën Serbinë dhe Kasapin e Ballkanit, morën mbështetjen e botës që u rreshtua drejt, dhe e fituan luftën. Një rrëfim ky i pabesueshëm, i jashtëzakonshëm dhe i papërsëritshëm”.

“Ky ishte udhëtimi i Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit në rrugën e lirisë, që bashkë me gjithë çlirimtarët tjerë, dhe sakrificën e pashembullt të secilës shtëpi, e bënë krenar kombin tonë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, që bëri luftën e domosdoshme, të pastër dhe mbrojtëse, është tregim i suksesshëm për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë dhe vlera më e lartë e tij. E tillë do të mbetet përgjithmonë! Edhe sot, kur po e bën betejën e radhës në Hagë, të cilës sërish po i prijnë djemtë e njëjtë, veçse sot me flokë pak të thinjura. Dhe, ashtu siç i buzëqeshën atij fatit në fillim, do t’i buzëqeshin kësaj beteje në fund”, përfundoi Krasniqi. /Insajderi.com