Krasniqi: S’ka fitore të plotë të drejtësisë, pa dënimin e Serbisë për gjenocid

Krasniqi: S’ka fitore të plotë të drejtësisë, pa dënimin e Serbisë për gjenocid

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka reaguar pas dënimit të ish-gjeneralit serb të Bosnjës, Ratko Mlladiq, me burgim të përjetshëm për krime lufte.

Nëpërmjet një shkrimi, Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, e ka quajtur fitore të pjesshme të drejtësisë dënimin e sotëm të Mlladiqit në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.

Sipas Krasniqit, nuk ka fitore të plotë të drejtësisë, pa dënimin e Serbisë për gjenocid.

“Nuk ka dyshim, dënimi i sotshëm i Mlladiqit në Gjykatën e Hagës është një fitore e pjesshme e drejtësisë, është e pjesshme se nuk është dënuar mekanizmi kryesor që ka ushtruar gjenocid në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë. Nuk ka asnjë dyshim, e gjithë Bota e dinë se fajtori kryesor ka mbetur i pa dënuar, pasi gjenocidi në hapësirat e ish Federatës Jugosllave është planifikuar, është organizuar dhe ushtruar nga gjithë mekanizmat e shtetit serb, Serbisë”.

“Madje që të gjitha pushtet e tij, përfshirë edhe ai medial, Kisha serbe dhe Akademia e Arteve dhe e Shkencave të Serbisë. Madje edhe shumë aktorë të ati gjenocidi, sot janë të akomoduar mirë edhe në aparatet më të larta të shtetit. Për të cilët ka shumë fakte e dëshmi të pa kontestueshme se kanë qenë pjesë e mekanizmave të shtetit që kanë ushtruar gjenocid”, ka shkruar Krasniqi.

“Shkurt, në ketë rast për të qenë: Drejtësia e plotë për të gjitha viktimat e asaj lufte, madje edhe për shamizezat e Serbisë që paskan reaguar sot, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë duhet ta dënoj Serbinë për gjenocidin e ushtruar në gjitha vendet e përmendura më lartë. Vetëm atëherë, Drejtësia do të jetë e plotë. Përderisa kjo nuk ndodh dhe nuk ndodh fuqishëm edhe nga mekanizmat relevant ndërkombëtar, në Serbi nuk do të ketë gatishmëri për t’u shkëputur nga politikat luftënxitëse, e as nga politikat e gjenocidit. Drejtësia duhet të jetë e plotë, përderisa nuk do të jetë e tillë, shteti i Serbisë do të jetë burim i luftërave të reja në Evropën Juglindore”, ka përfunduar Krasniqi