
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë votat e kësaj partie për rrëzimin e qeverisë, sapo të sjellë zyrtarisht në Kuvend mocionin e mosbesimit, njofton Insajderi.
I ftuar në emisionin DESKU të KTV-së, Krasniqi thotë se nuk kanë biseduar me VV-në për mocionin, përveç diskutimeve publike dhe kërkesës së tyre që çdo deputet ta votojë.
“Ne nuk e kemi votu Albin Kurtin për kryeministër dhe kur ka ardhë një propozim me e heqë prej kryeministrit, e kemi votu. Nuk e kemi votu Avdullah Hotin dhe ditën që të vie një mocion për me e heqë, ne e votojmë. Duhet me ardhë mocioni zyrtarisht në rend dite në Kuvend”.
“Jo nuk kemi bisedu, sepse VV e ka nisë një mocion në mungesë të temave, mbetën pa tema dhe e nxorrën një temë krejtësisht legjitime prej një partie opozitare, por nuk bëhet ajo punë ashtu. Dolën në një konferencë dhe thanë se mirë është me e nënshkru edhe deputetët tjerë, PDK-ja para se gjithash. Pastaj kishte deklarime prej zyrtarëve të tyre, ne e kemi bë mocionin me testu PDK-në”, tha ai.
“Prej ditës së parë e kemi deklaruar këtë punë. E kemi përsëritur dhe ripërsëritur”, ka thënë ai. Por, si ka vazhduar, nga PDK-ja nuk mund të pritet që ta kryejë “punën e Vetëvendosjes, duke u bërë pjesë e planeve të tyre”, ka thënë tutje Krasniqi. /Insajderi.com