Krasniqi thotë se javën e fundit ka shtim të pacientëve me COVID-19 në QKUK

Krasniqi thotë se javën e fundit ka shtim të pacientëve me COVID-19 në QKUK

U.d. i drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka thënë se kanë punuar në tri drejtime për ta menaxhuar situatën me COVID-19 në Kosovë dhe se sipas tij të tirja janë përmbushur, njofton Insajderi.

Ai thotë se në tetor vërehet rritje e numrit të rasteve pozitive me Coronavirus në vend, ndërsa shton se 147 pacientë janë të shtrirë në klinika dhe spitalet e Kosovës.

“Gjatë tetorit ishim më të qetë dhe kishim raste më të vogla. Muajt më të vështirë i kishim korrikun dhe gushtin. Gjatë tetorit jemi më të qetë megjithatë javën e fundit vërehet një tendencë në rritje të numrit të pacientëve dhe rasteve të reja. Sot kemi 226 pacientë të shtrirë, prej tyre 147 të konfirmuar me COVID dhe të tjerë në pritje të rezultatit”, tha Krasniqi KTV.

Sipas Krasniqit, lirimi i masave, hapja e shkollave, universiteteve, gastronomisë ka ndikuar në rritjen e rasteve.

Ai shton tutje se 12 pacientë aktualisht në QKUK janë në gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e COVID-19.

“Në mjekimin intensiv i kemi 12 pacientë që janë në gjendje më të rëndë. Kemi vërejtë se gjatë javës së fundit pothuajse për çdo ditë kemi pas shtim të numrit nga 7 në 10 pacientë në raport me fillimin e muajit shtator. Pra është rritë numri i të shtrirëve”.

Se a do të përballet QKUK-ja me mbyllje të shërbimeve në klinika dhe lëshimit të tyre për nevojat e pacientëve të infektuar me virus, Krasniqi thotë se do të varet nga situata epidemiologjike.

Ai thotë se numri më i madh i të infektuarve po vjen nga institucionet publike, përfshirë administratën, për shkak të grumbullimit të njerëzve.

Krasniqi derisa ka folur mbi terapinë që po u jepet pacientëve me COVID-19, ka thënë se ajo bazohet nga gjendja e pacientit

“Nuk do krijojmë iluzion se ky apo ai bar do ta shpëtojë pacientin, por ajo që e shpëton pacientin është parandalimi”./Insajderi.com