Krasniqi: Vetëm qarqet e Beogradit kanë shkruar negativisht për UÇK-në dhe Adem Jasharin

Krasniqi: Vetëm qarqet e Beogradit kanë shkruar negativisht për UÇK-në dhe Adem Jasharin

Ish kryetari i Kuvendi të Kosovës, Jakup Krasniqi, duke komentuar debatin e fundit rreth deklaratave të ish këshilltarit të Albin Kurtit, Shkëlzen Gashi, ka thënë se vetëm qarqet “intelektuale” të Beogradit kanë shkruar negativisht për UÇK-në dhe Adem Jasharin.

Sipas tij, përpjekjet e fundit për ta akuzuar UÇK-në, edhe më fuqishëm do të bëjnë të shndrisë rruga e lirisë dhe e pavarësisë, rrugën e luftës çlirimtare e udhëhequr nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

Më poshtë e keni shkrimin e plotë të UÇK-së:

UÇK – VEPËR KULMORE E POPULLIT SHQIPTAR TË KOSOVËS

Në njëqind vjetet e fundit të historisë sonë ( që përfshinë hapësirën territoriale të Kosovës dhe më gjerë), nuk ka pasur ngjarje tjetër e cila, kaq fuqishëm ta këtë tërhequr vëmendjen e historianëve, publicistëve, diplomatëve, politikanëve, shkrimtarëve, artistëve dhe ushtarakëve sa vet epoka e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nuk ka ngjarje të historisë sonë më të re e cila, aq shumë e aq fuqishëm t’i këtë verë në veprim qarqet më të larta intelektuale, mekanizmat më të fuqishëm politikë e ligjvënës, qendrat e vendosjes përfshirë edhe ato ushtarake të vendeve të demokracive perëndimore se sa Lufta jonë Çlirimtare themelet e secilës i gjejmë në Lëvizjen Kombëtare për Çlirim dhe në flijimin Biblik të Jasharëve Legjendar. Natyrisht, edhe në Kosovë janë shkruar vepra, studime, analiza të zhanreve të ndryshme, por tek ne, pra në Kosovë ka edhe vepra të dobëta, të qëllimshme e të pa qëllimshme, që ngritin antivlera e mohojnë vlera, që heronjtë e vërtetë përpiqen t’i zëvendësojnë më antiheronjët dhe me sabotatorët e luftës sonë çlirimtare apo edhe me veprimet e liga e mafioze të pas luftës.

Asnjë rrahagjoksi a paudhësi e kujtdo qoftë e pas luftës çlirimtare nuk e zvetënon frytin e lirisë e të shtetësisë të arrirë edhe në saje të një mbështetje të fuqishme amerikane dhe evropiane. Vetëm qarqet “intelektuale”, politike, publicistike etj., të Beogradit kanë shkruar negativisht për luftën tonë çlirimtare, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe Adem Jasharin, ato shkrime të autorëve serbë janë puqur në ndonjë rast me disa qarqe mjerave të Kosovës së pas luftës çlirimtare.

Shkrimet e atyre qarqeve nuk e dobësojnë e as e zhvlerësojnë historinë tonë më të re, historinë e çlirimit, historinë e mbijetesës sonë kombëtare, historinë e ndritshme të lirisë në tokën tonë, në djepin e shqiptarisë, në trashëgiminë e të parëve tanë iliro – dardanë. Përkundrazi, sa më shumë që nivelet e tilla të shkrimeve tendencioze, në themel nihiliste e inatqore, jo vetëm kundër luftës heroike të popullit të Kosovës me në krye UÇK-në e anatemojnë padrejtësisht dhe qëllimisht, gjithë historinë e lirisë së Kosovës, përfshirë dhe flijimet biblike të kombit. Këto përpjekje primitive edhe më fuqishëm do të bëjnë të shndrisë rruga e lirisë dhe e pavarësisë, rrugën e luftës çlirimtare e udhëhequr nga SHP i UÇK-së. Grekët e vjetër e kishin një urti: “Ruaju nga Danajt kur të dhurojnë”. Do ta parafrazoja:” Ruaju nga serbët dhe miqtë e tyre kur të lavdërojnë”. Dhurata e danajve, Kali i Drunjtë, simboli i tradhtisë e patë rrënuar Trojën historike.

Ndër shekuj edhe shqiptarët, tradhtia i ka dëmtuar shumë. I ka lënë trojet tona të copëtuara nga jashtë e shqiptarët të përçarë nga brenda.   /Insajderi.com