
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka ngushëlluar shtetin britanik për sulmin e mbrëmshëm ku mbetën të vdekur rreth 22 persona dhe 59 të tjerë u plagosën.
Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, ai shkruan se sulmi në Manchester është mizor dhe se Kosova është përkrah qeverisë britanike.
“Shokuse sulmi në Manchester. Mizor dhe kjo është më e rrezikshme për pjesën më të rrezikuar të shoqërisë. Kosova qëndron pranë qeverisë britanike”, ka shkruar Thaçi.
Po ashtu edhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, përmes një postimi në Twitter ka shkruar se është i shokuar nga sulmi i mbrëmshëm në Manchester.
Veseli është shprehur se terrorizmi nuk mund dhe nuk do të fitoj.
“Unë jam i shokuar nga lajmi i sulmit në Manchester. Ngushëllimet për familjet, lutemi për ju dhe të dashurit tuaj. Terrorizmi nuk mund dhe nuk do të fitojë”, ka shkruar Veseli në llogarinë e tij në Twitter.
Edhe ministri i Punëve të Jashtme në largim, Enver Hoxhaj, ka shprehur ngushëllime për viktimat e sulmit në Manchester.
“Të trishtuar nga ngjarja tragjike në Manchester. Mendimet tona janë me familjet e viktimave dhe njerëzve të Britanisë”, ka shkruar Hoxhaj.
Rreth 22 persona kanë mbetur të vdekur dhe rreth 59 të tjerë janë plagosur gjatë një sulmi në Manchester, ku ishte duke mbajtur koncert këngëtarja amerikane, Ariana Grande. /Insajderi.com