Kroacia hy në garë për të tërhequr investimin e Volkswagenit prej 1 miliard dollarësh

Kroacia hy në garë për të tërhequr investimin e Volkswagenit prej 1 miliard dollarësh

Kroacia është bërë pjesë e garës së ashpër, për të tërhequr në vend investimin e Volkswagenit për të ndërtuar fabrikën e re të prodhimit të automjeteve.

Vlera e investimit do të kalojë shifrën 1 miliard euro dhe pritet të hapë edhe rreth 4 mijë vende të reja të pune, përcjell Telegrafi.

Sipas raportimit të medieve vendase, Kroacia do të hyjë në garën për fabrikën e re të Volkswagenit, së bashku me Bullgarinë, Serbinë dhe Rumaninë.

Fillimisht u njoftua se kjo fabrikë do të ndërtohej në qytetin turk të Izmirit dhe se do të arrinte vlerën 1.3 miliard euro, por më pas njoftimi u pezullua.

Kompania kishte njoftuar se ka shtyrë vendimin për të ndërtuar një fabrikë në shtetin turk, si pasojë e kritikave ndërkombëtare për operacionin ushtarak të Turqisë në veri të Sirisë dhe shqetësimet në lidhje me pasojat që mund të kishte veprimi në fjalë në reputacionin e saj.

Nga planifikimet fillestare, në këtë fabrikë do të prodhohen rreth 300 mijë makina Passat dhe Skoda.