
Një tjetër diplomat botëror është detyruar të reagojë për takimin në New York me ministrin e jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli.
Khemais Jhinaoui, ministër i jashtëm i Tunizisë ka shkruar në Twitter se takimi ishte i rastësishëm dhe nuk është folur për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, raporton KTV-ja.
“Takimi me ministrin e jashtëm të Kosovës në OKB ishte i rastësishëm, dhe nuk pati asnjë substancë, dhe as ndonjë lidhje me raportet në të ardhmen ndërmjet dy palëve”, ka shkruar kryediplomati i Tunizisë, shtet afrikan që nuk e njeh Kosovën.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, e kishte postuar një fotografi me Jhinaouin në Twitter ku kishte shkruar se kishin diskutuar për “vullnetin e fuqishëm të të dyja palëve për të forcuar bashkëpunimin bilateral ndërmjet dy shteteve, duke u fokusuar në ekonomi, tregti dhe turizëm”.
Edhe ministri i jashtëm i Marokut këtë javë tha se Pacolli iu imponuar se dhe shteti i tij nuk e ka në plan njohjen e Kosovës.