Kryeinfermierët me paga më të larta sesa drejtorët e klinikave

Kryeinfermierët me paga më të larta sesa drejtorët e klinikave

Rreth 900 euro pagë për muajin qershor 2018, duke përfshirë edhe pagesat e kujdestarive, ka marrë një kryeinfermier i QKUK-së përderisa drejtori i Klinikës ku punon kjo për muajin e njëjtë është paguar 80 euro më pak, përkatësisht rreth 815 euro me gjithë kujdestari, shkruan sot Gazeta “Zëri”

Specialistët mjekësorë, si dhe drejtorët e klinikave po ankohen se stafi i mesëm (kryeinfermierët), të cilët kanë nisur së fundmi të mbajnë kujdestari, po paguhen më shumë se ata.

Zyrtarë në zyrën e drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) kanë thënë për gazetën “Zëri” se gjatë këtyre tre muajve të fundit, të cilët sipas tyre kanë qenë testues, 15 kryeinfermiere kanë kujdestaruar në 36 klinika të QKUK-së.

“Gjatë këtyre muajve testues ka pasur nga 15 kryeinfermiere përgjegjëse që kanë kujdestaruar në të gjitha klinikat, pra 36 klinikat dhe shërbimet në QKUK. Pagesat për kryeinfermiere përgjegjëse për QKUK-në është 25 euro për kujdestari”, kanë thënë ata.