fbpx

Kryeministri flet për biznes, nuk e përmend terminalin e djalit të tij

Kryeministri flet për biznes, nuk e përmend terminalin e djalit të tij

Kryeministri Isa Mustafa nuk është i ndarë i kënaqur me statusin e parë në Facebook, ku ka përmendur disa lajme të mira që sipas tij i kanë ndodhur Kosovës, dhe ka shkruar edhe një status tjetër të cilin e ka nisur me “edhe pak ekonomi…”.

Por ka injoruar komplet hulumtimin e publikuar në Insajderi, se Qeveria Mustafa ka pajisur me licencë për biznesin e terminaleve kompaninë e drejtuar nga djali i kryeministrit Isa Mustafa. Kompania “INTEREUROPA KOSOVA L.L.C”, bazuar në të dhënat e regjistrimit të biznesit është në pronësi të kompanisë sllovene “Intereuropa D.D”, dhe  Hazbi Hasanit. Ndërsa Arben Mustafa dhe  Andrej Karl figurojnë si persona të autorizuar në këtë biznes.  Emri i kësaj kompanie figuron edhe në deklarimin e pasurisë së kryeministrit Mustafa. Kur kishte deklaruar pasurinë më 2010, në cilësinë e kryetarit të Prishtinës, kishte shënuar se pesë përqind të aksioneve në këtë kompani i ka djali i tij.

Nuk e ka përmendur as të gjeturën e VV-së, se kompania “Makcar”, i cili menaxhohet nga Besnik Mustafa, djali i Isa Mustafës , bashkëpunon ngushtë me biznesmenin serb, Miroslav Mishkoviq.

Kryeministri ka shkruar për disa histori që i ka pasur me disa biznesmen kohëve të fundit. Ka shkruar sesi një biznesmen që thotë ta ketë vizituar para dy-tre dite, i ka thënë Mustafës se “me politikat e reja fiskale të Qeverisë të jetë lehtësuar për 700,000 euro”.

Ka treguar edhe një rast tjetër me një biznesmen që i ka treguar Mustafës sesi “që nga dje, për çdo kamion me lëndë të parë që importon për të prodhuar, do të paguaj 3 mijë euro më pak”.

Rrëfimet e kryeministrit me biznesmen vazhdojnë.

“Një afarist i madh nga Peja, po ashtu, u shpreh se sa do të investojë më shumë, falë këtyre masave.
Pas disa muajve bizneset tona do të tregojnë se sa do të kursejnë nga fakti se nuk do të presin dy apo tre muaj për një vizë për të vizituar një panair në vendet perëndimore ose për tu takuar me partnerët e tyre në Gjermani, Austri, Francë e gjetiu”, ka shkruar Mustafa.

Në fund ka treguar sesi Qeveria së shpejti do të aprovojë edhe Ligjin për Investime Strategjike.

“Do të zhvillojmë ekonomi të hapur, konkurruese dhe ambient tërheqës për të gjitha bizneset. Të gjithë që punojnë do ta gjejnë rrugën e tyre”, ka shkruar Mustafa.