Kryeministri Hoti deklaron pasurinë, tri banesa dhe mbi 25 mijë euro borxh

Kryeministri Hoti deklaron pasurinë, tri banesa dhe mbi 25 mijë euro borxh

Kryetari i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar pasurinë e tij, duke bërë të ditur se posedon tri banesa, prej të cilave merr edhe qera, njofton Insajderi.

Në raportin e deklarimit të pasurisë në Agjencionin Kundër Korrupsionit, tutje bëhet e ditur se Hoti ka edhe para të gatshme, vlera e të cilave prekë shifrën gjashtë mijë e 500 euro.

Ndërkaq, në raportimin e pasurisë së tij, kryeministri i Kosovës ka sqaruar se ka një banesë prej 67 metrave në vlerë prej 68 mijë euro, e të cilën e ka blerë me mjete vetanake, kredi dhe hua familjare. Banesën tjetër e ka blerë me mjete vetanake dhe ka 57 metra katrorë, në vlerë 60 mijë euro. Kurse, banesën e tretë me 79 metra katror, e ka blerë me mjete vetanake, paradhënie nga punëdhënësi dhe kredi, në vlerë prej 105 mijë euro.

Tutje bëhet e ditur se Hoti në dy banka të Kosovës ka 6.515 euro. Ndërkohë, ka borxh 21.325 euro.

Hoti në kohën kur ka qenë zëvendëskryeministër, ka raportuar se për përveç pozitës në qeveri dhe si deputet, punon me gjysmë norme në Universitetin e Prishtinës dhe një nga kolegjet në Prishtinë. /Insajderi.com/