Kryeministri Kurti emëron mikun e tij të studimeve në bordin e Infrakosit

Artan Dërmaku është Dekan i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në Universitetin Publik "Kadri Zeka" në Gjilan. Në të njëjtin universitet, ai shërben edhe si profesor dhe si anëtar i Senatit.

Kryeministri Kurti emëron mikun e tij të studimeve në bordin e Infrakosit

Profesori i shkencave kompjuterike, Artan Dërmaku u emërua dje në bordin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” me vendim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Ai është “mik i studimeve” të kryeministrit në detyrë Kurti dhe anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Jemi të së njëjtës gjeneratë dhe kemi studiuar bashkë në Fakultetin e Elektroteknikës”, kishte shkruar Kurti në gusht të vitit 2018.

Kishte njoftuar për aderimin e mikut të tij të studimeve në subjektin politik që ai drejton.

Në të njëjtin shkrim prezantues për Dërmakun, Kurti kishte deklaruar se aderimi në Lëvizjen Vetëvendosje i profesorit të shkencave “do të përkthehet” në më shumë konsistencë në politikën e Kosovës.

Megjithatë, bashkimi i tyre në Lëvizjen Vetëvendosje është përkthyer në humbje të konsistencës politike të Lëvizjes Vetëvendosje.

Me emërimin e Dërmakut në bordin e KRU “Ujësjellësi” të enjten, Kurti ka thyer premtimin e tij dhe të Lëvizjes Vetëvendosje për “çkapje dhe depolitizim të bordeve” të Ndërmarrjeve Publike.

Artan Dërmaku vjen nga Prishtina, aty ku ka përfunduar shkollën fillore dhe të mesme. Studimet universitare i ka përfunduar në Universitetin Teknik të Vjenës (TU Wien) në Austri, në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike.

Dërmaku është Dekan i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan. Në të njëjtin universitet, ai shërben edhe si profesor dhe si anëtar i Senatit.

Në një CV të tij të publikuar në internet, thuhet se Dërmaku ka bërë karrierë si ligjërues edhe në Universitetin Publik të Prizrenit “Ukshin Hoti”.

Më parë, Dërmaku ka punuar si profesor edhe në kolegjet private: “Iliria” dhe “AAB”.  /Insajderi.com