“Kryeministri Kurti po i ngjason sjelljes së Thaçit”- Ymeri thumbon ish-shefin e tij

“Kryeministri Kurti po i ngjason sjelljes së Thaçit”- Ymeri thumbon ish-shefin e tij

Visar Ymeri, ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje ka thumbuar ish-shefin e tij, Albin Kurti, lidhur me vendimin që ky i fundit mori për heqjen e taksë ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Ymeri ka shkruar se kryeministri Kurti është duke i ngjasuar presidentit aktual, Hashim Thaçi gjatë kohës kur ai ishte kryeministër, shkruan Gazeta Insajderi.

“Mënyra se si u hoq taksa përfshirë kohën që mori sjellja e këtij vendimi nga Kryeministri është më e keqja e mundshme. Është tejet e dëmshme për vendin tonë që të kundërshtojmë për një kohë të gjatë për të lëshuar pe pastaj pas asnjë përfitim. Aq më tepër kur krerët institucional flasin fjalë të mëdha për t’i harruar ato të nesërmen. Kjo sjellje e Kryeministrit Kurti i përngjason sjelljes së Thaçit kur ishte kryeministër (p.sh. për Fusnotën) duke i thënë disa JO të vogla drejt PO-së së madhe”, ka shkruar Ymeri.

Tutje, Ymeri ka shkruar se ky veprim i Kurti e bënë shtetin jo serioz derisa ka shtuar se kryeministri po dëshmon se nuk i qëndron fjalës së dhënë.

“Një sjellje e tillë e bën shtetin jo serioz. Çfarëdo kërkese e kushtëzimi i mëpastajmë nuk kanë më vlerë, meqë kështu (edhe) ky Kryeministër po e dëshmon që nuk i qëndron fjalës së dhënë. Përndryshe çfarë kuptimi ka të thuhet dje se taksa hiqet kur vendosen masat e reciprocitetit, e pastaj të hiqet taksa sot pa u vendosur masat e reciprocitetit”, ka shkruar shkruar ndër tjera, Ymeri.

Kryeministri, Albin Kurti sot përmes një konference të jashtëzakonshme për media ka njoftuar se më 15 mars do të marr vendim që të hiqet taksa prej 100 përqind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.

“Pas takimeve me odat dhe shoqatat tona dhe pas analizës me kolegët tanë. Kam ardhur tek ky qëndrim për tarifën 100 për qind si qeveri e Kosovës nga 15 marsi të hiqet tarifa”, ka thënë sot Kurti. /Insajderi.com