
Në 17 vjetorin e vrasjes së avokatit Bajram Kelmendi dhe dy djemve të tij, kryeministri Isa Mustafa ka thënë se Bajrami, Kastrioti dhe Kushtrimi ishin ndër viktimat e para të hakmarrjes së regjimit të Serbisë pas nisjes së bombardimeve të NATO-s.
“Ditën kur NATO filloi bombardimet, forcat e Serbisë ia mësynë shtëpisë së Bajram Kelmendit, i cili si avokat i jashtëzakonshëm dhe aktivist i të drejtave të njeriut, kishte më shumë zotësi dhe vullnet se kushdo tjetër që të vërtetonte para drejtësisë ndërkombëtare krimet monstruoze të regjimit të Millosheviqit në Kosovë”, ka thënë Mustafa.
Ai e ka cilësuar vrasjen e tyre si një ndër krimet më mizore dhe më të rënda që forcat e Serbisë kryen në Kosovë.
Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e tij u vranë në vitin 1999 në dalje të Prishtinës./Insajderi.com