Kryeministri i paguximshëm që shtiret si “akademik i pafajshëm”

Kryeministri ka muaj që po orvatet për të bindur qytetarët se Qeveria e tij nuk është përgjegjëse për 30 milionë eurot që Z-Mobile pritet t’ia marrë Telekomit të Kosovës. Mustafa shihet që është në siklet. Obligimet ligjore e bëjnë përgjegjës për të marrë masa ndaj ndërmarrjes publike. Por, ai nuk guxon ta shkarkojë askënd prej anëtarëve të bordit të Telekomit të Kosovës, të cilët emërohen nga Qeveria e Kosovës. Për shkak të pazotësisë së tij, ka zgjedhur që të përpiqet për të bindur qytetarët se në tërë këtë mes është thjesht vetëm një “akademik i pafajshëm”.

Kryeministri i paguximshëm që shtiret si “akademik i pafajshëm”

A ju kujtohet se si kishte reaguar kryeministri Isa Mustafa kur në krye të Telekomi të Kosovës ishte emëruar Agron Mustafa?

Decidivisht thoshte kështu: Do të kërkoj sqarime nga Bordi i PTK-së lidhur me kriteret e zbatuara për zgjedhje të tilla dhe për eliminim të kandidatëve tjerë.

Ishte i etur për t’i dhënë sqarime dikush. Nuk e mori seriozisht askush. Për të heshtur mori pajtimin e partnerit të koalicionit për t’i mbushur me njerëz të tij bordet e ndërmarrjeve tjera publike. I ngufati ato me njerëz të LDK-së sa që u bë kryeministri i parë në historinë e shkurtër të shtetit të Kosovës që e pranon politizimin e ndërmarrjeve publike.

Deklarata e tij se “nuk ishte qëllimi jonë të politizojmë, por nuk kemi asnjë gjë apolitike në Kosovë”, u bë shpejtë e famshme.

Aktualisht, bordet e ndërmarrjeve publike janë të mbushura me njerëz të partive në koalicion- LDK-së e PDK-së. Mbushja e tyre me njerëz partiakë është edhe pjesë e marrëveshjes së koalicionit mes dy partive. Derisa për përfitime nga ndërmarrjet publike, kryeministri Isa Mustafa është në gjendje të shkaktojë konflikte me partnerin e koalicionit, ndryshe vepron kur bëhet fjalë për marrjen e përgjegjësive për menaxhimin e tyre.

Deklarata e tij e sotshme është skandaloze. Ai e shpalli sot të pavarur një ndërmarrje publike – Telekomin e Kosovës.

Këtë e bëri për t’i ikur përgjegjësisë pas vendimit të Arbitrazhit në favor të Z-Mobile, i cili e dëmton ndërmarrjen publike për 30 milionë euro.

“Unë mund të them se Qeveria nuk do ta marrë asnjë barrë të kësaj, sepse është kompania publike, e cila është e pavarur dhe e cila duhet ta merr përgjegjësinë për veprimet e saj”, tha kryeministri, para deputetëve.

Në fakt, situata nuk është kaq e thjeshtë dhe nuk ka qenë asnjëherë.Telekomi i Kosovës dhe dhjetëra ndërmarrje tjera publike janë të pavarura në operim ditor, por jo edhe në dhënie të llogarisë. Ato nuk janë biznese private, por janë të shtetit. Qeveria e Kosovës është pronare e tyre.

Ligjërisht funksionon kështu zinxhiri i përgjegjësive. Kryeministri është përgjegjësi kryesor për menaxhimin e tyre.  Zyra e Kryeministri përzgjedh anëtarët e bordeve të një ndërmarrjeje publike. Bordet e ndërmarrjeve publike i raportojnë Njësisë për Menaxhimin e Ndërmarrjeve Publike, e cila operon në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Ministri i MZhE-së i raporton kryeministrit për mbarëvajtjen e ndërmarrjeve publike.Ky zinxhir i përgjegjësisë është i mjaftueshëm që kryeministri dhe Qeveria e tij të jenë përgjegjëse për dëmet që i shkaktohen një ndërmarrje publike. Po ashtu, që të dinë në detaje se çfarë po ndodh me padinë e Z-Mobile kundër Telekomit të Kosovës.

Por, kryeministri tha sot se nuk është në dijeni për asgjë.

“Është konstatuar se Kosova do të paguajë një dëm të madh nga paraja publike prej rreth 30 milionë euro, për shkak të disa procedurave, të cilat as për mua si kryeministër por as për Qeverinë nuk janë akoma të qarta, as vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit”, tha kryeministri Mustafa, duke dëshmuar se nuk ka qenë kurrë i interesuar për marrjen e përgjegjësive.

Por, kryeministri duket se nuk ka qenë i interesuar për të marrë përgjegjësi.

Paska qenë i interesuar në diçka tjetër – shfrytëzimin e benefiteve që mundësojnë kompetencat ligjore të kontrollit mbi ndërmarrjet publike. Ka përfituar nga abuzimi me këto kompetenca, ngjashëm siç ka bërë paraardhësi i tij, Hashim Thaçi kur i jepte urdhra ish-ministrit Besim Beqaj që t’ia përcaktojë udhëheqëse të Telekomit të Kosovës se çfarë vendime duhet të marrin, gjatë kohës sa janë në poste të larta.

Ndërkaq, Isa Mustafa përveç që e njeh anën ligjore që i jep Qeverisë mandat për të kontrolluar ndërmarrjet publike, është i njoftuar gjatë tërë ditës për ndikimin e tij, të partisë dhe njerëzve të tij në bordet e ndërmarrjeve publike dhe institucioneve tjera.

Që në mëngjes kur del në punë në zyrën e tij, ai mund të shoh zyrtarët e prokurimit  të cilët patën nënshkruar dhënien e një tenderi për kompaninë e djalit të tij, Besnikut.

Kur futet në kabinet, do ta shoh Vlora Dumoshin. Mund t’i kujtohet se motra e saj është anëtare e bordit në ndërmarrjen publike “Ibër-Lepenc”.

Pas takimit me Dumoshin, mund ta shoh këshilltarin tjetër Sokol Havollin. Mund t’i kujtohet se babai i tij është kryesues bordi në Trustin Pensional të Kosovës. Nëse ndodh që të jetë dita kur mbahet mbledhja e Qeverisë, atëherë do ta sheh ministrin Lutfi Zharku. Do t’i kujtohet se ministri i tij ka mundësuar që kompania e drejtuar nga djali i tij, Arbeni, të marrë licencë për të operuar si terminal i mallrave.

Vetëm një gjë nuk mund t’i kujtohet kurrë: pavarësia e ndërmarrjeve publike. Ajo i kujtohet vetëm si gjetje politike për t’iu shmangur përgjegjësisë para qytetarëve të Kosovës, siç ndodhi sot me rastin e Telekomit të Kosovës.