Kryeministri paralajmëron rritje pagash

Kryeministri paralajmëron rritje pagash

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në mbledhjen e sotme kërkoi nga Ministria e Financave, që në koordinim edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), të propozojë mundësinë e rritjes së pagave për shërbyesit civilë, për punëtorët e arsimit dhe ata të shëndetësisë.

Kryeministri Mustafa tha se gjatë kësaj periudhe ka pasur qëndrueshmëri të mirë buxhetore dhe lëvizje të mirë ekonomike, gjë që mundëson edhe rritjen e pagave.

“Javën e kaluar kemi aprovuar informatën lidhur me ecuritë e buxhetit dhe për kornizat për vitet e ardhshme. Kemi konstatuar se kemi një qëndrueshmëri të mirë buxhetore gjatë kësaj periudhe, kemi lëvizje të mira ekonomike”, ka thënë kryeministri Mustafa.

“Tash, në suaza të kësaj unë dëshiroj të kërkoj nga Ministria e Financave që në mbledhjet e ardhshme, prapë në koordinim me FMN-në, të propozojë edhe mundësinë e rritjes së pagave për shërbyesit civilë dhe njerëzit tjerë që punojnë në arsim dhe në shëndetësi, në gjysmën e këtij viti, në mënyrë që të përgatitemi edhe gjatë rishikimit të buxhetit t’i kemi këto komponente dhe pastaj të zbatojmë në të ardhmen në mënyrë automatike rritjen e pagave sipas rritjes ekonomike”, shtoi kryeministri.

Ai tha se gjatë këtyre dy viteve ka pasur rritje të konsiderueshme ekonomike, e cila mundëson një lëvizje sa i përket rritjes së pagave në të ardhmen.

“Do të kemi parasysh edhe sektorin privat, në mënyrë që të mos krijojmë diferenca shumë të mëdha, të cilat pastaj nxisin ikjen e kuadrove nga një sektor në sektorin tjetër. Nëse pajtoheni, do të kërkojmë nga Ministria e Financave që të vijë me një propozim të caktuar gjatë përgatitjes së ndryshimit dhe plotësimit të buxhetit për vitin e ardhshëm”, tha kryeministri Mustafa./Insajderi.com