Kryeministri shkel premtimin, nuk shkarkon ministrin me aktakuzë

Suspendimi i zyrtarëve që kanë aktakuza të ngritura ishte njëra prej veprimeve me të cilat krenohej kryeministri i Kosovës Isa Mustafa. Megjithatë, zotimi i kryeministrit për pezullimin e "çdo zyrtari që ka të ngritur një aktakuzë" nuk po zbatohet ndaj ministrit Delibor Jevtiq, kundër të cilit prokuroria ngriti aktakuzë tre ditë më parë.

Kryeministri shkel premtimin, nuk shkarkon ministrin me aktakuzë

Premtimi i kryeministrit të Kosovës për të pezulluar secilin zyrtar të institucioneve të Kosovës që ka të ngritur aktakuzë nga prokuroria, nuk po zbatohet prej tre ditësh ndaj ministrit për Kthim dhe Komunitete, Delibor Jevtiq.

Ministri për Komunitete dhe Kthim, i cili vjen nga radhët e Listës Serbe, është akuzuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës nën dyshiminin se kreu veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës së ngritur tre ditë më parë, në cilësinë e personit zyrtar Jevtiq ka shfrytëzuar detyrën zyrtare me qëllim që të përfitojë çfarë do dobie për vete apo personin tjetër dhe njëkohësisht ti shkaktojë dëme ministrisë përkatëse.

Ministri Jevtiq, në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ për përdorimin e automjeteve të Qeverisë së Kosovës, kishte nxjerr vendimin me të cilin i jepte në shfrytëzim të përhershëm të një automjeti zyrtar një kompanie private serbe në Kosovë, “përkatësisht Radio KIM –TV Centar, me seli në Çagllavicë”.

Edhe pse Lista Serbe është zyrtarisht në bojkot të institucioneve të Kosovës, ministri Dalibor Jevtiq vazhdon të jetë pjesë formale e qeverisë. Jevtiq po vazhdon që në mënyrë formale të kryejë funksionine  tij si ministër.

Të shtunën, ministri serb në qeverinë kosovare është takuar në Kragujevac të Serbisë me 13 familje të zhvendosura nga fshati Lubozhdë afër Istogut. Jevtiq u ka premtuar serbëve të Kosovës që do t’u ndihmojë atyre që sa më shpejtë që të jetë e mundur t’i kthejë në shtëpitë e tyre.

“Në ndërkohë jemi duke punuar në rinovimin dhe ndërtimin e shtëpive të tyre, dhe kështu përsëri do t’i kthejmë këta njerëz në shtëpitë e tyre shekullore”, ka thënë Jevtiq pas takimit, njoftoi Radiokim.

E kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa po qëndron i heshtur ndaj kësaj situate.

Mustafa, i cili dikur krenohej për veprimet që kabineti i tij ka ndërmarr ndaj zyrtarëve që kanë të ngritura aktakuza nga prokuroria, nuk po e shkarkon edhe ministrin serb që vjen nga radhët e Listës Serbe.

Pas publikimit të raportit të përpiluar nga Transparency International për Kosovën në fillimin e këtij viti, kryeministri deklaronte me krenari se “suspendimi i çdo zyrtari ndaj të cilit është ngritur aktakuzë” është rezultat, që sipas Mustafës tregonte hapat konkrete që kishte ndërmarrë Qeveria e Kosovës.

“Përmirësimi i renditjes së Kosovës në raportin e TI-së është rezultat i hapave konkret që kemi ndërmarrë duke filluar që nga suspendimi i çdo zyrtari ndaj të cilit është ngritur aktakuzë, te reformat strukturale siç është prokurimi elektronik, e deri te fakti se gjatë tërë këtij mandati nuk ka ndodhur asnjë aferë korruptive”, deklaroi Mustafa më 25 janar të këtij viti.

Kryeministri Mustafa, vitin e kaluar e kishte liruar nga detyra ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, pasi ndaj tij ishte ngritur aktakuzë nga prokuroria për aferën “Stenta”.

Këtë vendim, kryeministri Mustafa e kishte marrë më 20 qershor të vitit 2016.

Agani ishte liruar nga detyra pasi një ditë më parë ai u gjet në mesin e 64 të akuzuarve ndaj të cilëve prokuroria ngriti aktakuzë për aferën “Stentat’, që lidhet me trajtimin e të sëmurëve në spitalet private brenda dhe jashtë Kosovës gjatë kohës sa Agani ishte ministër i Shëndetësisë në mandatin e kaluar të qeverisë.

Zyra e kryeministrit së fundmi – në muajin shkurt të këtij viti – ka pezulluar nga detyra edhe Zahir Bajramin, drejtor i Zyrës për Buxhet dhe Financa në kryeministri.

Bajrami ishte arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka kërkuar ryshfet për zgjidhjen e një lënde në gjykatë. /Insajderi.com

Ngritet aktakuzë kundër ministrit Dalibor Jevtiq