Kryeprokurori i Pejës kërkon raport urgjent nga policia për dy serbët që kaluan afër burimit të ujit në Deçan

Kryeprokurori i Pejës kërkon raport urgjent nga policia për dy serbët që kaluan afër burimit të ujit në Deçan

Kryeprokurori i Pejës, Agim Kurmehaj, në konferencën e sotme të mbajtur për aksionin e zhvilluar në Pejë, Klinë e Istog, është deklaruar edhe për rastin e dyshimeve për helmim të më shumë se një mijë e 500 personave në këtë komunë, njofton Insajderi.

Kurmehaj tha se akoma nuk mund të dilet me konkludime të qarta sa i përket këtij rasti, por paralajmëroi se për këtë çështje do të deklarohen shumë shpejt.

“Me marrjen e informatës për rastin në Deçan unë kam angazhuar dy prokurorë që janë marrë intensivisht me këtë çështje dhe kanë qenë në kontakte të drejtpërdrejta me të gjitha institucionet e tjera të cilat merren me ndriçimin dhe zbardhjen e këtij rasti. Jemi duke punuar intensivisht. Jemi duke u marrë kryesisht me dyshimet te faktori njeri i cili ka mundur ta shkaktojë këtë pasojë. Në këtë fazë nuk mund të dalim me konkludime të qarta, por besoj që për këtë çështje do të prononcohemi shumë shpejt”, tha ai.

Kurmehaj ka folur edhe lidhur për dy serbë, të cilët sipas raportimeve, ishin parë në afërsi të burimit të ujit në Deçan.

Ai tha se ka kërkuar nga Policia e Deçanit që ta përpilojë një raport urgjent në këtë drejtim.

“Meqë nuk është lajmëruar prokuroria lidhur me këtë rast kam kërkuar nga Policia e Deçanit që ta përpilojë një raport urgjent që do të më njoftojnë rreth kësaj dhe më pas do të merremi me veprimet e nevojshme në atë drejtim”. /Insajderi.com