fbpx

Kryeprokurori ka një plan strategjik dhe një kërkesë për gazetarë

Kryeprokurori ka një plan strategjik dhe një kërkesë për gazetarë

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka marrë pjesë në tryezën e punës kundër korrupsionit të organizuar nga Ambasada Amerikane në Kosovë. Në ketë tryezë kanë marrë pjesë edhe Ambasadori Amerikan,  Greg Delawie, Constantine Soupios, Këshilltar Ligjor në Ambasadën Amerikane, si dhe Jennifer Clarke, nga Sektori për Integritet Publik, Departamenti Amerikan i Drejtësisë.

Në  ketë tryezë Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi , tha se lufta kundër korrupsionit dhe trajtimi i lëndëve të korrupsionit është ndër prioritetet kryesore të Prokurorit të Shtetit. Lidhur me ketë  Lumezi tha se kemi filluar të zbatojmë planin strategjik (2016-2018) dhe planin e veprimit për ngritjen e efikasitetit në luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike.

Kryeprokurori Lumezi, theksoi se nëpërmjet punës profesionale, transparencës dhe rezultateve të mira në hetimin dhe ndëshkimin e korrupsionit ne duhet të krijojmë siguri te qytetarët, se ata nuk kanë nevoje të japin ryshfet me qëllim që ti realizojnë të drejtat e tyre.

Gjithashtu, Kryeprokurori Lumezi, ka kërkuar nga prokurorët e shtetit që gjatë hetimeve penale të bëjnë edhe hetime financiare për të identifikuar të ardhurat nga krimi, nga ryshfeti, keqpërdorimi i detyrës zyrtare dhe shkeljet tjera lidhur me korrupsionin, me qëllim që t’i konfiskojmë pasuritë e fituara në mënyrë të kundërligjshme dhe ato ti kthejmë në buxhetin e Kosovës.

“Është i nevojshëm edhe fuqizimi i kapaciteteve profesionale dhe zhvillimi i programeve trajnuese për prokurorë në drejtim të zhvillimit të aftësive hetimore komplekse në fushën e  krimeve financiare, prokurimit publik dhe shpëlarjes së parave” u shpreh Lumezi.

Kryeprokurori Lumezi, theksoi se prokurorët duhet të jenë të pavarur në punën e tyre, kjo nënkupton që duhet të jenë të pavarur nga grupet e  ndryshme të interesit, por edhe nga emrat e përvetshëm të zyrtarëve publik, interesat e të cilave preken gjatë hetimeve dhe vendimeve të prokurorëve.

Po ashtu, Kryeprokurori Lumezi, ka theksuar se duhet të kemi bashkëpunim të mirë me mediat dhe shoqërinë civile të cilët  janë aleatë kryesore në luftën kundër korrupsionit, pa ndihmën e të cilëve nuk mundë të kemi sukses.

“Mediat dhe të gjitha ata që denoncojnë korrupsionin dhe individët e korruptuar nuk mjafton vetëm të akuzojnë por duhet që japin edhe dëshmi apo informatat e mjaftueshme që do të mundësojnë prokurorëve që të iniciojnë hetimet penale”, ka potencuar Lumezi.

Kryeprokurori Lumezi, po ashtu, tha se çelësi i suksesit në luftën kundër korrupsionit qëndron në konfiskimin e pasurisë të përfituar me vepër penale dhe marrja e fuqisë ekonomike krimit.

“Nuk ka dyshim se për të luftuar korrupsionin nevojitet edhe bashkëpunimi juridik ndërkombëtar sepse shpeshherë paratë e fituara nga korrupsioni transferohen apo investohen në botën e jashtme në emër të personave të tjerë dhe tentohet që të bëhet kthimi i tyre prapa në Kosovës si  para të ligjshme” theksoi Lumezi.

Kryeprokurori Lumezi, ndër të tjera tha se dënimi me burg nuk lëvizë seriozisht luftën kundër korrupsionit por duhet të nxirren edhe vendime për ndalimin e ushtrimit të detyrës zyrtare pas vuajtjes së dënimit dhe duhet të ju konfiskohet pasuria e fituar me vepër penale.