Kryeprokurori kërkon nga UNMIK-u t’i hiqet imuniteti rusit të arrestuar në veri

Kryeprokurori kërkon nga UNMIK-u t’i hiqet imuniteti rusit të arrestuar në veri

Kryeprokurori i Mitrovicës, Shyqyri Syla ka thënë për Insajderin se para pak çastesh e ka liruar shtetasin rus, punonjës të UNMIK-ut, Mikhail Krasnoshchenkov, për shkak të imunitetit.

Ndërkohë ende po mbahet në arrest kosovari me kombësi serbe, Dejan Dimiç.

Syla ka thënë për Insajderin se ka pasur presion prej UNMIK-ut për lirimin e tyre, megjithatë serbi nuk është liruar.

“Sapo kam liruar nga arresti shtetasin rus. Nesër do të kërkojë zyrtarisht nga përfaqësuesi special në Kosovë, Zahir Tanin, që t’i hiqet imuniteti për të zhvilluar procedurë penale ndaj tij”, ka thënë Syla për Insajderin.

Policia e Kosovës zhvilloi sot një aksion në disa vende, përfshirë edhe veriun e Kosovës.

Këtij operacioni policor i ka paraprirë një hetim disa mujor i IPK-së, PK-së, i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës, i cili ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtareve policorë dhe të disa qytetarëve në: “Pjesëmarrje ose Organizim i Grupit Kriminal”, në lidhje me veprat tjera penale si: “Kontrabandim me Mallra”, “Keqpërdorim i Pozitës Zyrtare”, “Dhënie e Ryshfetit”, “Tregti e Ndaluar”, etj.

Edhe përkundër hasjes në rezistencë të armatosur në Veri të Mitrovicës, operacioni policor ka vazhduar për disa orë.

Përveç arrestimeve, operacioni ka rezultuar edhe me konfiskimin e dëshmive relevante, përfshirë edhe armë të gjata. /Insajderi.com