“Dosja e Shefave”

Kryeprokurori i Prishtinës: Përgjimet nuk është dashur të publikoheshin

Kryeprokurori i Prishtinës: Përgjimet nuk është dashur të publikoheshin

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka, ka thënë se është habitur me vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila ka hedhur poshtë kërkesën e Adem Grabovcit për ndalimin e publikimit të përgjimeve të Dosjes së Shefave.

Në një intervistë për emisionin Komiteti të Gazetës Express, që shfaqet në RTV Dukagjini, Beka ka thënë se gjykata nuk është dashur që të bie pre e presionit të publikut që kërkonte vazhdimin e publikimit të përgjimeve. Sipas tij, në këtë rast, gjykata ka shkelur dispozitat ligjore.

“Unë kam dëgjuar që është bërë një kërkesë për masë të përkohshme për ndalim. Mua më ka habitë pse gjykata e ka hedhë poshtë atë kërkesë, sepse masat e fshehta përdoren vetëm për raste penale, që i ka procedurë prokurori, gjyqtarët. Atë moment që kryhet ajo punë, ato nuk guxojnë të përdoren absolutisht për asnjë gjë tjetër”, ka thënë ai,

Adem Grabovci, protagonist i Dosjes së Shefave, kishte kërkuar nga Gjykata Themelore që Insajderi të ndalojë publikimit e përgjimeve, me arsyetimin se gazeta ka shkelur privatësinë.

Por, Gjykata Themelore e Prishtinës ka hedhur poshtë kërkesën e tij për masë të përkohshme, me arsyetimin se nuk ka kurrfarë shkelje ligjore dhe se paditësi – Adem Grabovci, nuk ka ofruar asnjë provë se Insajderi ka shkelur privatësinë, apo të drejtat tjera kushtetuese.

Publikimi i përgjimeve ka nisur nga 1 gushti i këtij viti dhe ka zgjatur disa javë. Me këto përgjime është dëshmuar fuqia e Adem Grabovcit dhe strukturës së Partisë Demokratike të Kosovës. Vetëm për dy muaj, nëntor – dhjetor 2011, Grabovci punëson qindra njerëz, zgjedh dhjetëra kryetarë e anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura.

Publikimi i përgjimeve ka nxitur që nga ajo kohë të mbahen afër 10 protesta qytetarë në Prishtinë, të cilët po kërkojnë përgjegjësi politike e penale ndaj protagonistëve./Insajderi.com