Kryeredaktori i RTK-së reagon pas përfshirjes së Transmetuesit Publik në Ligjin e pagave

Kryeredaktori i RTK-së reagon pas përfshirjes së Transmetuesit Publik në Ligjin e pagave

Kryeredaktori i Radio Televizionit të Kosovës, Ridvan Berisha i ka dërguar një letër kryeministrit Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli, përmes së cilës ka kërkuar heqjen e RTK-së nga Ligji i pagave.

Në letrën të cilën e ka shkruar në emër të gazetarëve, montazherëve, xhiruesve dhe stafit tjetër respektiv të RTK-së, Berisha u ka kërkuar zyrtarëve shtetërorë dhe Kuvendit të Kosovës që të miratojnë Ligjin për RTK-në, dhe po ashtu ta heqin RTK-në nga Ligji i pagave.

“Më lejoni të paraqes shqetësimin e madh të gazetarëve, xhiruesve, montazherëve dhe stafit tjetër respektiv të RTK-së për Ligjin e pagave. Për ne mbetet thellësisht zhgënjyese përfshirja e RTK-së në këtë ligj në kuadrin e ndërmarrjeve të tjera publike. RTK-ja është medium publik dhe stafi i saj nuk mund të trajtohet njësoj assesi me statusin e nëpunësve administrativë shtetërorë”, thuhet në letrën e kryeredaktorit të RTK-së.

“Gazetarët, me ligjin tuaj, shihen si nëpunës shteti, që nuk është praktikë e vendeve demokratike. Ky është një formulim tepër i dëmshëm, pa dyshim me rrezik të madh për reputacionin e RTK-së si transmetues i vetëm publik dhe rrezikon vërtet vlerat bazike të ekzistencës së mediumit. Ligji, në mënyrën siç e keni formuluar, mbetet për ne i papranueshëm”, thuhet në reagim.

Berisha u ka kërkuar zyrtarëve shtetërorë që RTK-ja të bëhet me ligjin e vet.

“Kërkojmë përfshirjen tuaj direkte në mënyrë që RTK të mos përfshihet fare në këtë ligj. Me insistim e presim kontributin tuaj respektiv që RTK ta ketë ligjin e vet i cili ka mbetur në Kuvend për muaj të tërë për shkak të inateve politike, e rrjedhimisht të artikuloni vullnet politik qartësisht më të vendosur për ta mbështetur transmetuesin publik që ta ketë pronën, objektin e dinjitetshëm dhe natyrisht dhe financimin e qëndrueshëm”, ka thënë Berisha.

“Siç jeni në dijeni, RTK i nënshtrohet kontrollit ligjor në të gjitha mënyrat. Me zë të qartë, duke përfaqësuar kështu të gjithë gazetarët, redaktorët e stafin tjetër gjegjës kreativ profesional, kërkojmë edhe njëherë që ta largoni RTK-në nga Ligji i pagave”. /Insajderi.com