Kryeshefi ekzekutiv Bedri Istrefi ulë në pozitë sindikalistin e Telekomit

Kryeshefi ekzekutiv Bedri Istrefi ulë në pozitë sindikalistin e Telekomit

Një reagim publik i Kreut të Sindikatës Profesionale të  Telekomit, Muhamet Xhemajli, rreth gjendjes në  Telekom, ka mjaftuar që  ky i fundit të degradohet në pozitë nga menaxhmenti.

Së paku kështu thotë  Xhemajli në një reagim dërguar mediave.

“Desha t’ju njoftoj se pas reagimeve në vazhdimësi në media nga Sindikata Profesionale e Punëtorëve SPP Telekomi i Kosovës në  lidhje me keqpërdorimet dhe Gradimet/Degradimet dhe nominimet në  vende të  punës pa kritere, ju njoftoj se sot me date 28.10.2019 Kryeshefi Ekzekutiv z. Bedri Istrefi edhe pas kërcënimit qe ka bere ndaj meje, sot i njëjti ka bere degradimin e pozitës time si kryetar i Sindikatës SPP, gjë që është në kundërshtim me Ligjin mbi Sindikatat saktësisht Neni 24”, thuhet në  reagimin e Xhemajlit.

Buletini Ekonomik ka siguruar edhe vendimin e kryeshefit ekzekutiv me të  cilin pozita e Xhemajlit nga mbikëqyrës i lartë  në  Telekom, tash e tutje do të jetë montues i antenave në  regjionin e Mitrovicës.

“Punëtori/ja, Muhamet Xhemajli, i/e sistemuar në punët dhe detyrat e punës, Mbikëqyrës i Kontrollit të  Brendshëm në  Menaxhimi i Sigurimit të  të  hyrave risistemohet në  punët dhe detyrat e punë  Montator në regjionin e Mitrovicës”, thuhet në  vendimin e kryeshefit, një  kopje të të cilit e ka siguruar Buletini Ekonomik.

Ndryshe, Xhemajli ka paralajmëruar një  konferencë për ditën e nesërme.