Kryetari i Apelit: Prokurorët janë joprofesionalë në mbrojtjen e aktakuzave të korrupsionit

Kryetari i Apelit: Prokurorët janë joprofesionalë në mbrojtjen e aktakuzave të korrupsionit

Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, ka adresuar kritika ndaj Prokurorisë së Shtetit për dështimin e shumë aktakuzave të ngritura nga ana e saj.

Në një konferencë për media, ku ka prezantuar raportin e punës gjashtëmujore të kësaj gjykate, Shala ka kritikuar punën e prokurorëve sa i përket mbrojtjes së aktakuzave të ngritura në rastet e korrupsionit.

Për shumë nga këto aktakuza të cilat po refuzohen nga gjykatat apo po përfundojnë me aktgjykime liruese për të akuzuarit, Shala tha se duhet të mbahet përgjegjëse edhe prokuroria.

“Kem vërejtje në këtë aspekt pasi që akuzat që po ushtrohen në gjykatë, po më duket nuk po mund të argumentohen nga prokurorët. Arsye pse po ndodh kjo është se sigurisht ju mungon profesionalizmi. Mirëpo, është edhe një gjë tjetër, prokurori që bën hetimet rrallë ndodhë që ai prokuror të përfaqësojë atë aktakuzë edhe në gjykatë”, tha Shala.

Një gjë e tillë, sipas kryetarit të Apelit, po ndikon që cilësia e aktakuzës të bie.

“Kur një prokuror pe merr një ditë apo dy më herë aktakuzën dhe shkon të përfaqësojë në seancë, ai assesi nuk ka me kon në gjendje me mbrojt atë aktakuzë. Nëse një prokuror kryen hetimet, ngrit aktakuzë dhe e përfaqëson atë në gjykatë konsideroj se atëherë kishte me pas më shumë kualitet mirëpo është një praktikë që prokurorët shpesh ndërrohen kështu që, këtu bie edhe cilësia e aktakuzës”, deklaroi kryetari i Apelit.

Shala pati kritika edhe për praktikën e dënimeve në rastet e korrupsionit, ku tha se gjykata të ndryshme po shqiptojnë dënime diametralisht të kundërta me njëra tjetrën.

Sipas tij, në një gjykatë, një i akuzuar për 100 mijë apo 200 mijë euro shpërdorim, dënohet me kusht,  kurse dikush që akuzohet për 1000 euro po dënohet me tre vjet burgim.

“Kur po kemi të bëjmë të natyrës korruptive kemi edhe një problem, pasi që po jepen dënime me kusht, për një vepër për shembull ku një person akuzohet për 100 mijë euro apo 200 mijë euro shpërdorim të pozitës zyrtar, dhe dënohet me kusht,  kjo është shumë keq pasi që kur gjykata të vërteton që ka vepër penale, atëherë duhet të jep dënimin meritor”, tha Shala.

Një gjë e tillë, Shala tha se është gabim, pasi që nëse arrihet të vërtetohet kryerja e veprës penale, atëherë edhe dënimi duhet të jetë meritor.

Tutje, kryetari Shala dha edhe disa informacione në lidhje numrin e lëndëve të kryera nga ana e Gjykatës së Apelit në gjashtë mujorin e parë të këtij viti.

Shala tha se këtë vit, kjo gjykatë ka kryer një numër më të madh të lëndëve se sa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Gjykata e Apelit në periudhën e gjashtë mujore ka pranuar apo fluksi i landëve të ardhura është 7012 lëndë, që do të thotë kemi një krahasim bukur të madh me vitin e kaluar ngase vitin e kaluar kemi pas 640 lëndë. Përkundër sfidave dhe vështirësive, gjykata ka arrit ti zgjidh 6410 lëndë. Kjo shifër paraqet rekord për Apeli që nga viti 2013”, tha Shala.

Ky numër i kryer i lëndëve të kryer këtë vit në krahasim me vitin e kaluar, siç tha Shala është për 572 lëndë më shumë lëndë të kryera këtë vit.

Deri në fund të vitit, Shala tha se pret që të kryhen deri në 14 mijë lëndë.

Problemin më të madh me lëndë të pakryera, kryetari Shala tha se është në departamentin civil, kurse departamentet tjera Shala tha se qëndrojnë mirë.

Në adresimin e tij për media, kryetari i Apelit, tha se u kërkon falje edhe qytetarëve për vonesat e mundshme në zgjidhjen e ankesave të tyre, por tha se numri i madh i lëndëve, ka shkaktuar një gjendje të tillë.

Sa i përket lëndëve të korrupsionit, Shala tha se aktualisht në Apel janë 22 lëndë të pakryera, por shtoi se shumë shpejt pritet të zgjidhen ato.

Tutje, sa i përket lëndëve të shënjestruara për liberalizim të vizave, kryetari Shala tha se për aq sa i kujtohet, një nga këto lëndë është vërtetuar nga Apeli, dy tjera janë prishë aktgjykimet e shkallës së parë si dhe dy tjera janë ndryshuar dhe janë refuzuar akuzat.

Në fund të konferencës, kryetari i Apelit u ndal edhe tek greva në të cilën ishin futur administrata e gjyqësorit dhe prokurorisë.

Kjo grevë sipas Shalës nuk ka ndikuar në punën e gjykatës të cilën ai e udhëheq, pasi jo të gjitha punëtorët e gjykatës i ishin bashkuar grevës për shkak se një shumicë  e punëtorëve, siç tha Shala, edhe kanë dal nga Sindikata e Judikaturës.