Kryetari i bordit të ZRRE-së: Kemi qenë të obliguar të propozojmë rritjen e çmimit të energjisë

Kryetari i bordit të ZRRE-së: Kemi qenë të obliguar të propozojmë rritjen e çmimit të energjisë

Ymer Fejzullahu, kryetar i Zyrës së Rregullatorit për Energji thotë se kanë qenë të obliguar që të shqyrtojnë ngritjen e çmimit të energjisë, përcjell Shqip.com.

Ai në raportimin para Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, deklaroi se kjo ka ndodhur për faktin se kriza energjetike e ka përfshirë gjithë Evropën.

Sipas tij, me çmimet e larta të importit të cilat i ka quajtur “të pamundura” për t’u përballuar, situata është bërë e rëndë.

Tutje, ai thotë se është në dijeni se çmimet e energjisë elektrike janë të papërballueshme për një pjesë të konsumatorëve.

Por, thotë se ka kërkuar që të mbështeten disa kategori që nuk mund ta paguajnë rrymën.

“Këto çmime, edhe këto ekzistuese për një kategori të konsumatorëve janë të papërballueshme. Ne kemi qenë të zëshëm. Kam kërkuar edhe vitet e kaluara që të mbështeten konsumatorët që janë rastet sociale. Nuk janë vetëm rastet sociale që duhet të mbështeten, por edhe konsumatorët e cenueshëm që nuk e përballojnë faturën e energjisë elektrike”, tha ai.

Ndërkaq, Fejzullahu ka përmendur edhe prishjen e Bllokut B2 në termocentralin “Kosova B” gjatë dhjetorit, që thotë se i shkaktoi miliona euro për energjinë e importuar.

“Kosto ditore e mungesës së këtij gjeneratori ka qenë rreth 1.5 milion euro me çmimin e tregut”, ka thënë ai.

Rritja e çmimit të energjisë elektrike është paralajmëruar nga Qeveria për shkak se “Kosova po blen rrymë me çmime të larta dhe nuk po mund të plotësojë kërkesën me prodhimin e rrymës në termocentralet ‘Kosova A’ dhe ‘B’”.

Lidhur me këtë, ZRRE ka propozuar rritje të çmimeve për amvisëritë për 9 për qind, teksa Qeveria ka ndarë 75 milionë euro për subvencionimin e një pjese të faturave të energjisë.

Sipas propozimit të ZRRE-së, konsumatorët janë ndarë në pesë kategori: A, B, C, D, E.

Konsumatorët në kategorinë A, nëse gjatë një muaji shpenzojnë 300 kilovatë orë energji elektrike, çmimi aktual është 18.87 euro, dhe propozimi është që ajo të rritet në 29.66 euro, por që me subvencionimin e Qeverisë, fatura do të mbetet 27.37 euro.

Nëse jeni në kategorinë B, apo gjatë një muaji shpenzoni 450 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 27.37 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 29.66 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të mbetet e njëjtë: 27.37 euro.

Konsumatorët në “C” që do të thotë se shpenzojnë 600 kilovatë, çmimi aktual i faturës është 35.86 euro, e që me propozimin e ZRRE-së, fatura rritet në 38.92 euro, por që me subvencionimin e Qeverisë mbetet 35.86 euro.

Nëse jeni në kategorinë D, pra nëse gjatë muajit shpenzoni 800 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 47.19 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 74.17 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 59.50 euro.

Nëse jeni në kategorinë E, që do të thotë se gjatë muajit shpenzoni 1000 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 58.52 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 109.42 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 83.14 euro./SHQIP.com