Kryetari i Kamenicës flet për gjendjen shëndetësore të të prekurit nga koronavirusi

Kryetari i Kamenicës flet për gjendjen shëndetësore të të prekurit nga koronavirusi

Pas konfirmimit nga Instituti i Kombëtar i Shëndetësisë Publike se edhe një rast i prekur nga COVID-19 vije nga komuna e Kamenicës, ka reaguar kryetari i kësaj komune, Qëndron Kastrati, shkruan Insajderi.  

Kastrati ka bërë me dije që gjendja shëndetësore e të infektuarit është e mirë.

Përmes shkrimit në llogarinë e tij në Facebook, ai u ka bërë thirrje qytetarëve t’a marrin seriozisht këtë virus.

“Virusi është i padukshëm, mirëpo efekti është shumë i rrezikshëm. Duke qenë mospërfillës ndaj udhëzimeve të institucioneve, ne mund të rrezikojmë jetën e më të dashurve tanë, shëndetin e prindërve, apo të tjerëve me sëmundje kronike”, ka shkruar ai mes tjerash.

Shkrimi i plotë i Kastratit: 

Qytetarë të nderuar të Kamenicës,

Siç keni mund ta dëgjoni edhe përmes lajmeve, është regjistruar rasti i parë me COVID-19 nga Kamenica. Gjendja e personit në fjalë është e mirë. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me IKShP-në.

Siç e dimë tanimë, mënyra kryesore se si ne mund të mbrohemi nga ky virus është sidomos përmes shmangies së kontaktit me njerëz dhe pastrimit të duarve.

Virusi është i padukshëm, mirëpo efekti është shumë i rrezikshëm. Duke qenë mospërfillës ndaj udhëzimeve të institucioneve, ne mund të rrezikojmë jetën e më të dashurve tanë, shëndetin e prindërve, apo të tjerëve me sëmundje kronike.

Andaj, merreni me shumë seriozitet! Dalja jashtë të jetë opsioni i fundit. Vetëm kur është e domosdoshme.

Shfrytëzojeni këtë kohë për të riparuar diçka rreth shtëpisë, reflektoni rreth planeve pas kësaj periudhe, a luani ndonjë lojë me fëmijët. Ju e dini më së miri! Por asesi mos dilni pa nevojë.

Nëse mund të themi që ka diçka pozitive në këtë çështje, është se të gjithë jemi brenda pa dallim: i pasur e i varfër, i ri e i vjetër, biznesmen e punëtorë. Andaj të bashkuar, ndarazi, do t’ia dalim!

Forca Kamenicë!

#RriNshpi

Në Kosovë deri më tani numri i të infektuarve ka arritur në 106,  dy janë të shëruar teksa është shënuar edhe viktima e parë./Insajderi.com