Kryetari i Kuvendit të Ulqinit jep dorëheqje, del nga koalicioni lokal

Kryetari i Kuvendit të Ulqinit jep dorëheqje, del nga koalicioni lokal

Kryetari i Kuvendit të Ulqinit, Ilir Çapuni, ka dhënë dorëheqje, duke njoftuar daljen nga Koalicioni lokal i kësaj komune, njofton Insajderi.

Dorëheqjen e tij e ka bërë të ditur vetë Çapuni me anë të një konference të mbajtur për media gjatë së martës së 23 shkurtit, ku tha se ky koalicion nuk ka përmbushur obligimet ndaj qytetarëve dhe nuk ka realizuar asnjë pikë nga marrëveshja e nënshkruar nga partnerët e koalicionit për zhvillimin e qytetit të Ulqinit.

“Me një shumicë të gjërë, e cila duhej të garantonte stabilitet politik dhe përkrahje të gjërë nga ana e pushtetit qendror, pas tre viteve funksionim vlerësojmë që ky koalicion nuk ka përmbushur obligimet ndaj qytetareve dhe nuk ka realizuar asnjë pikë nga marrëveshja e nënshkruar nga partnerët e koalicionit për zhvillimin e qytetit të Ulqinit në të gjitha fushat e me fokus të veçantë zhvillimin ekonomik nepërmjet investimeve kapitale dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve”, ka thënë ai në këtë adresim për media.

Çapuni shtoi se Forca e Re Demokratike nuk do të marrë pjesë në ftesën e PDS-së për të diskutuar për kandidatin e kryetarit të kësaj komune.

“Bëjmë me dije që Forca e Re Demokratike nuk do të marrë pjesë për arsyet se ne veç kemi deklaruar që nuk do të përkrahim asnjë kandidat nga lista e dëshirave të PDS për të cilën është licituar me emra të ndryshëm duke e devalvuar kështu rolin e kryetarit të Komunës dhe votën e qytetarit”, është shprehur ai.

“E ndjejmë obligim moral, profesional, politik e qytetar që të distancohemi nga ky model i funksionimit të pushtetit vendor duke kërkuar zgjedhje të parakohshme lokale”.

“Me këtë eksperiencë, energji, informata e njohuri edhe për llumin e politikës në Mal të Zi, do të vazhdojmë edhe më fortë, me ekip të ri, qasje të re dhe bisedime të reja për të mirën e qytetarëve të Ulqinit”, ka thënë Çapuni. /Insajderi.com