Kryetari i Nju Jorkut zotohet për luftim të anti-semitizmit

Kryetari i Nju-Jorkut, Bill de Blasio ka njoftuar për një seri masash për luftim të “krizës” së sulmeve anti-semitike, pas një sulmi me thikë në fundjavë.

Kryetari i Nju Jorkut zotohet për luftim të anti-semitizmit

De Blasio ka thënë se pjesëtarë të sigurimit do të angazhohen në hapësira të hebrenjve, si dhe shkollat do të mësojnë nxënësit që të luftojnë urrejtjen.

Të paktën pesë persona janë plagosur në sulmin me thikë, në shtëpinë e një rabini të shtunën në Nju Jork.

Vetëm një ditë para sulmit, de Blasio pati njoftuar për shtim të patrullimeve policore në zonat e populluara me hebrenj, pas incidenteve anti-semitike në të kaluarën.

Pas sulmit, ai ka thënë se zyrtarë shtesë do të pozicionohen në Williamsburg, Crown Heights dhe parkun Borough.

“Njerëzit e këtij komuniteti do të shohin zyrtarë para shtëpive të tyre të lutjes dhe nëpër rrugë. Neve na duhet të ofrojmë një ndjenjë të sigurisë dhe duhet të tregojmë se ky trend i tmerrshëm që kemi parë në javët e fundit duhet të ndalet”, ka shtuar mes tjerash ai.

Dëshmitarët kanë thënë se sulmuesi ka hyrë në një shtëpi në Monsei, në veri të Nju Jorkut, në të cilën ka qenë duke u shënuar një festë fetare, kur një person ka nisur të sulmojë njerëzit me një thikë të madhe.

Sulmuesi i dyshuar, i identifikuar nga policia si Grafton Thomas, 37-vjeçar, nga Nju Jorku është akuzuar për tentim-vrasje.

Thomas e ka shpallur veten të pafajshëm./rel.