Kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi e ka konsideruar si njërin prej vendimeve më të mëdha të shefit të tij të partisë si kryeministër vendit Ramush Haradinajt, vendimin për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga breshëri.
Ai ka thënë se të reshurat e shiut ka dëmtuar qindra hektarë tokë me kultura bujqësore.
“Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për kompensimin e menjëhershëm të dëmeve të shkaktuara nga breshri në komunat e Kosovës, e në veçanti në komunën tonë, është njëri prej vendimeve më të mëdha dhe më të rëndësishme të Qeverisë me të cilën udhëheq z. Ramush Haradinaj, Kryeministër i Republikës së Kosovës”.
“Komuna jonë, e cila shquhet për prodhimet e saj bujqësore gati çdo vit, por veçanërisht gjatë këtij viti, u përball me dëme të jashtëzakonshme nga breshri dhe vërshimet, të cilat ndodhën si pasojë e motit të keq që mbretëroi gjatë gjithë muajve të verës”, ka shkruar Latifi në Facebook.
Ai ka thënë se në Rahovec menjëherë janë ngritur komisionet për vlerësim të dëmeve ku sipas tij këto komisione kanë kryer punë në kohë rekorde.
“Ishin shumë të vështira ditët, në të cilat me qindra hektarë tokë të mbjellura me kultura bujqësore dhe vreshtare u dëmtuan e u bënë rrafsh me tokë nga breshri dhe përmbytjet. Mundi dhe investimi i bujqve të vyeshëm të komunës sonë pothuajse shkoi kot dhe humbjet ishin shumë të mëdha”.
“Qeveria komunale menjëherë u vu në veprim me të gjitha kapacitetet e saj dhe u mundua maksimalisht t`ju dalë në ndihmë të gjithë bujqve, fermerëve dhe familjeve të dëmtuara. Ngritëm komisionet profesionale për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve si në kultura perimtare në bujqësi, poashtu edhe në vreshta dhe në ekonomitë familjare. Këto komisione kryen punët dhe obligimet e tyre në afat rekord dhe pasi raportuan saktë dhe në mënyrë profesionale dëmet e shkaktuara, vendosëm që t`i raportojmë Qeverisë së Kosovës dhe t`i kërkojmë ndihmë dhe mbështetje konkrete për të përballuar këtë gjendje të vështirë”, ka shkruar ai.
Ai më tej ka thënë se “Bujqit e Kosovës, e në veçanti bujqit dhe fermerët e komunës sonë, nga ky vit do të mbështeten me vijë buxhetore, jo vetëm në kompensimin e dëmeve, por ata do të jenë pjesë e drejtpërdrejtë e sistemit të sigurimit të prodhimeve bujqësore, poashtu me linjë buxhetore nga Qeveria”.
“Ky vendim i Qeverisë dhe Kryeministrit Ramush Haradinaj është më i madhi dhe më i rëndësishmi në fushën e bujqësisë. Veprimet që do të pasojnë pas këtij vendimi do ta vënë bujqësinë e komunës sonë në qendër të vëmendjes dhe për herë të parë bujqit dhe fermerët tanë do ta ndjejnë dhe përjetojnë efektin e përkrahjes dhe mbështetjes së drejtpërdrejtë të shtetit me udhëheqjen e fuqishme dhe energjike të Kryeministrit Ramush Haradinaj”